LAJMET E MBRËMJES

Gazetarët u sulmuan nga protestuesit serbë në Leposaviq me shok-bomba e gurë, KFOR-i nuk reagoi

Gazetarët dhe punonjësit e mediave kanë qenë cak i sulmeve nga grupet e protestuesve serbë në Leposaviq të premten. Ata iu nënshtruan shok-bombave, goditjeve me gurë e edhe sulmeve fizike. E përderisa ngjarja po zhvillohej, pak metra larg tyre, pjesëtarët e KFOR-it nuk reaguan

Vizita e ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, te kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nxiti përshkallëzimin e situatës edhe ashtu të tensionuar në këtë komunë.

Krasniqi e vizitoi Hetemin paraditen e së premtes, me qëllim kompletimin e kabinetit të kryetarit.

E para objektit të Komunës po qëndronin me dhjetëra protestues, përfshirë edhe përfaqësues të subjektit politik serb, Lista Serbe.

Më pas u dhanë sinjale se Krasniqi do të largohej. Përfaqësuesit e KFOR-it, që po qëndrojnë për tash e sa javë para objektit, i ftuan dy nga protestuesit në oborrin e Komunës për ta “negociuar” largimin në qetësi të tij.

Por përderisa po zhvilloheshin bisedime, vetura e blinduar e ministrit u godit me ngjyrë.

E përfaqësuesit e protestuesve, tek i kapërcyen rrethojat e oborrit, dhanë shenjë se ku duhej të pozicionoheshin për të sulmuar. Vetura që do ta dërgonte ministrin në Prishtinë u ofrua edhe më afër dhe protestuesit filluan brohoritjet. Kur kaloi pranë tyre, u godit edhe me gurë e gjësende të tjera të forta.

Vetura u largua shpejt, porse cak sulmi u shndërruan ekipet e mediave. Në drejtim të tyre u hodhën shokë-bomba e me pas edhe gurë të mëdhenj.

Kameramani i RTK-së, Bardh Jetishi, u shkelmua e gazetari Pleurat Salihu mori lëndime më të rënda, për çka u referua për kontrolle të mëtutjeshme në ndonjë qendër spitalore.

Gazetarët e tjerë pësuan lëndime me të lehta. E gjatë përshkallëzimit të situatës, gazetarëve të KOHËS dhe të televizionit Dukagjini protestuesit ua morën telefonat personalë, të cilët nuk i kthyen.

E përballë krejt kësaj situate, pjesëtarët e KFOR-i nuk reaguan fare, përderisa Njësia Speciale e Kosovës situatën e shikoi nga dritaret e objektit komunal.

Pasi ekipet e mediave i shpëtuan turmës së protestuesve, dhanë deklarata në stacionin e Policisë së Kosovës në Leposaviq, që ndodhet jo shumë larg objektit të Komunës.

E deri te redaksitë e tyre përkatëse në Prishtinë, gazetarët e kameramanët u kthyen nën përcjelljen e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.