LAJMET E MBRËMJES

Gazetarët me protestë kërkojnë vendim të drejtë për Klan Kosovën

Në sheshet e kryeqytetit gazetarët kanë protestuar të hënën kundër vendimit të Ministrisë së Tregtisë për pezullim të certifikatës së biznesit për televizionin Klan Kosova. Ata kanë kërkuar nga Gjykata vendim të drejtë, ndërkohë kjo ministri ka publikuar dokumentacionin në gjuhën maqedonase, me të cilin pretendon se pronari i Klan Kosovës e ka paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë

Gazetarë të Kosovës kanë protestuar të hënën në përkrahje të Klan Kosovës pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë, të premten, për t’ia pezulluar certifikatën e biznesit këtij televizioni.

Me mbishkrimin “Demokracia vdes në errësirë” dhe duke fishkëllyer, ata kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ai “Skënderbeu” para ndërtesës së Qeverisë.

Gjatë rrugës, protestës iu bashkëngjiten edhe dy aktivistë të Vetëvendosjes, por që qëllimi i tyre ishte për të përçuar një mesazh tjetër. Ata mbanin mbishkrime “Gjakovë - Kosovë, Pejë - Kosovë dhe jo Djakovica - Srbija, Peç - Srbija”, por që më pas u larguan nga protestuesit.

Përmes një postimi në Facebook, njëri prej këtyre dy aktivistëve, Erion Beqiraj, ka akuzuar protestuesit se ia ndaluan fjalën e lirë.

“Si duket disave nuk iu pëlqeu fjala ime e lirë dhe një gazetare ma mori parullën nga dora dhe e shqeu atë. Pra, fjala e lirë nuk po u pëlqen këtyre që po thirren për ‘fjalë të lirë’, ka shkruar ai.

Kur protestuesit mbërritën para objektit të Qeverisë, disa gazetarë i vendosën në tokë pajisjet e tyre të punës. Para mediave nuk foli askush.

E me t’u përmbyllur protesta, anëtari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve, Naim Sadiku, tha se presin nga Gjykata që ta trajtojë lëndën në mënyrë të drejtë.

“Gazetarët janë përballur me një fushatë të egër të partisë në pushtet dhe në këtë kohë denoncojmë gjithashtu këtë gjuhë të ashpër ndaj gazetarëve dhe ndaj mediave. Njëkohësisht si Asociacion kërkojmë nga Gjykata që të trajtojë rastin e Klan Kosovës në mënyrë të drejtë, duke mos u ndikuar nga politika”, ka thënë Sadiku.

Përkrahje të protestuesve pati edhe nga shoqëria civile.

“Çdo tendencë e Qeverisë për të kriminalizuar fjalën e lirë është e patolerushme dhe është një tendencë drejtë një qeverisje autokratike e cila tashmë në shtetet e regjionit veç kanë ndodhur”, ka thënë drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu.

E Ministria e Tregtisë të hënën ka publikuar edhe dokumentacionin në gjuhën maqedonase, me të cilin pretendon se pronari i Klan Kosovës e ka paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë në regjistrimin e biznesit në Maqedoninë e Veriut.

“Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, pas verifikimit të dokumentacionit në dispozicion për Klan Kosovën, ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe në përputhje me ligjet në fuqi. Kjo, pasi që Komisioni ka siguruar dokumentacionin aktual nga institucioni përkatës në Maqedoninë e Veriut, për “Pronarët e Vërtetë të Subjektit”, në të cilin dokumentacion ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë”, ka thënë MINT.

Edhe shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që të zbardhen faktet sa i përket çështjes së Klan Kosovës dhe pezullimit të certifikatës.

“Është shumë me rëndësi të dihet që pse shtetas të Kosovës nisen për në Serbi marrin shtetësinë atje për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut e për të ardhur në Kosovë me ble një biznes”, ka thënë Kusari-Lila.

MINT-i ka ngritur fillimisht kallëzim penal ndaj Klan Kosovës më 14 qershor, me pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë - Serbia dhe Gjakovë - Serbia”.