Aktivistë të Partisë Socialdemokrate nëpërmjet protestës ku u përdor gazi lotsjellës dhe mjete shpërthyese e kanë kundërshtuar vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova. Gjatë përplasjes së tyre me Policinë e Kosovës janë arrestuar gjashtë anëtarë të saj. Reagimi i policisë është kritikuar nga përfaqësues të këtij subjekti politik, të KMLDNJ-së e të OVL të UÇK-së
Ardhja e kryetares së Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, është pritur me gaz lotsjellës brenda hotelit ku ajo e kishte të planifikuar mbajtjen e një konferencë me përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile. Protesta brenda dhe jashtë hotelit, ndonëse nuk zgjati shumë, u shoqërua me përdorim të mjeteve shpërthyese.
Policia arrestoi gjashtë anëtarë të PSD-së, përfshirë kryetarin Dardan Molliqaj. Në protestë u lëndua edhe një gazetar.
Nënkryetari i Partisë Social Demokrate, Qëndron Kastrati, duke arsyetuar protestën ka thënë se vizita e kryetarët së Gjykatës Speciale në Kosovë nuk është e mirëpritur nga askush.
“Ne si herëve të tjera, edhe sot kemi dashtë me tregu që, kushdo që vjen nga Gjykata Speciale nuk është i mirëpritur në Kosovë. Këtu shoqëria e ka të qartë, që ka qëllim politik sepse nuk mund të jetë Gjykatë e drejtë ajo që e gjykon vetëm njërën palë, vetëm njërën etni, pra është Ushtria Çlirimtare e Kosovës” ka deklaruar Kastrati.
Hedhjen e gazit lotsjellës në drejtim të Policisë së Kosovës, Kastrati nuk e ka mohuar e as pohuar.
“Për fat të keq Policia e Kosovës dhe institucionet, ka përdorur një dhunë joproporcionale një aksion simbolik kanë filluar me njësitë më elite të Policisë, duke përdorur gaz lotsjellës dhe sprej, sa e pashë spreji kishte qëllim me qenë edhe kah gazetarët e ka mediat, që me kriju frikësim edhe disiplinim te krejt ata që dëshirojnë me kundërshtua Gjykatën Speciale”, ka theksuar Kastrati.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka vlerësuar se protesta e Partisë Socialdemokrate të mërkurën kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ishte jo e dhunshme dhe e drejtë. Ndërsa kanë kërkuar nga Inspektorati Policor të hetojë në zyrtarët policorë kanë tejkaluar përgjegjësitë e tyre gjatë përplasjes me aktivistët.
“Jashtë hotelit ishin policë të Kosovës, ndërsa brenda hotelit kishte policë specialë të uniformuar dhe të veshur si civilë. Ishin të pranishëm shumë media. Udhëheqës të veteranëve të UÇK- së u prononcuan para mediave sikur që e bënë edhe udhëheqës të PSD -së. Kur aktivistë të PSD-së hodhën tymues, policia e Kosovës intervenoi duke arrestuar së paku 5 aktivistë të PSD-së ndaj të cilëve u përdorë një forcë joproporcionale, për KMDLNJ- ën krejtësisht e panevojshme”.
Në rrëmujën e krijuar, sipas KMLDNJ-së është alivanosur gazetari i portalit “Arbresh”. Edhe ky Këshill ishte kritikë ndaj Gjykatës Speciale dhe kundër vizitës së Trendafiloves.
“Protesta e PSD -së është e drejtë dhe kjo është e rregulluar me ligj. Protesta, në të njëjtën kohë është e drejtë e njeriut në çdo vend demokratik. Në kohën kur qytetarëve të Kosovës që po mbahen peng në Burgun e Gjykatës Speciale Raciste në Hagë po iu mohohen të drejtat elementare të njeriut, vizita e kryetares së kësaj Gjykate në Prishtinë nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se provokim dhe veprim në kundërshtim me standardet minimale profesionale dhe morale. KMDLNj ka qenë fuqishëm kundër kësaj vizite”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.
Protestën e së mërkurës e ka përkrahur edhe Organizata e Veteranëve të Luftës në Prishtinë. Sipas ushtruesit të detyrës së kryetarit të kësaj organizate, Faton Klinaku, kryetarja e Gjykatës Speciale ka qenë dashur ta ftojë edhe OVL të UÇK-së në takim Klinaku ka kritikuar vendimin për ndalimin e komunikimit me të paraburgosurit, duke e cilësuar shkelje të të drejtave të njeriut.