LAJMET E MBRËMJES

Fondaj: Mbaja takime javore me një anëtar të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

“Kur i keni raportuar Sali Veselit, çfarë metode komunikimi keni përdorur për transmetimin e mesazheve tek ai”, ka pyetur dëshmitarin e 73-të gjykatësi, Fargal Gaynor. E dëshmitari i është përgjigjur se komunikimet janë zhvilluar nëpërmjet takimeve. “Kemi pasur takime javore dhe në ato takime kemi referuar, kemi treguar për problematikat që ne i kemi pasur në nivel të brigadës dhe ato specifike, në këtë rast a është folur për polici ushtarake, më duket që jo”, ka thënë Fondaj

Ish-komandanti i Brigadës 123 të UÇK-së, Kurtesh Fondaj, ka thënë të mërkurën, në përmbyllje të dëshmisë së tij treditore para Dhomave të Specializuara në Hagë, se gjatë kohës sa ka qenë komandant atij i kanë raportuar njësitë e brigadës dhe se ka mbajtur takime javore me Sali Veselin, nga Shtabi i Përgjithshëm.

Këtë dëshmitari i 73-të në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi – e ka thënë teksa lidhur me çështjen është pyetur nga anëtari i trupit gjykues, Fergal Gaynor. 

“Kur i keni raportuar Sali Veselit, çfarë metode komunikimi keni përdorur për transmetimin e mesazheve tek ai”, ka pyetur gjykatësi. E dëshmitari i është përgjigjur se komunikimet janë zhvilluar nëpërmjet takimeve. 

“Kemi pasur takime javore dhe në ato takime kemi referuar, kemi treguar për problematikat që ne i kemi pasur në nivel të brigadës dhe ato specifike, në këtë rast a është folur për polici ushtarake, më duket që jo”, ka thënë Fondaj. 

Teksa u është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të trupit gjykues, dëshmitari nuk ka konfirmuar se Halil Qadraku ka shpërfillur vijën e raportimit të brigadës, duke pasur komunikim direkt me të akuzuarin Kadri Veseli, gjë që më herët e kishte thënë në Prokurori. Gjyqtari Gaynor fillimisht e ballafaqoi dëshmitarin me një deklaratë të dhënë në Prokurori. 

“Pyetja e prokurorit është kjo: A ka qenë Halil Qadraku shef i ZKZ-së të Zonës Operative të Pashtrikut? Përgjigjja që jepni ju është: Po. Pyetje: Kujt i ka raportuar ai në strukturën ushtarake – normalisht është dashur t’i raportojë Ekrem Rexhës, por e vërteta është që ai ka pasur kontakt me Shtabin e Përgjithshëm – me Kadri Veselin. Këtu po flasim për ZKZ-në, jo për Policinë Ushtarake, a mund të na sqaroni dëshmitar se nëse pas krijimit të komandës së Zonës së Pashtrikut, Policia Ushtarake a pritej që në nivel të parë t’i raportonin komandantit të brigadës e më pas t’i raportonin komandantit të Zonës së Pashtrikut”, e ka pyetur gjyqtari Gaynor. Por dëshmitari ka thënë se kjo pjesë nuk i kujtohet me saktësi. 

“Realisht nuk jam në rrjedha dhe t’ju them të drejtën nuk po më kujtohen saktë veprimet dhe çfarëdo që flas mund të bëj huti, kështu që kisha kërkuar të më kurseni nga këto përgjigje”, ka thënë Fondaj. 
Në seancën gjyqësore të së martës, gjyqtari Guénaël Mettraux e ka pyetur dëshmitarin rreth arrestimit të Blerim Kuçit, teksa ai është përgjigjur se e dinte që ai ishte ndaluar, por që nuk e dinte se ku. 

Fondaj të mërkurën ka theksuar se gjyqtari e ka keqpërdorur atë me pyetjet që ia ka bërë dhe ka kërkuar që të ketë avokat.

“Unë dje pasdite i kam parë në incizimet që janë prezantuar nga Gjykata dhe i kam përcjellë me vëmendje dhe sidomos marrja në pyetje nga gjyqtari më ka bërë të mendoj që të kërkoj avokat, respektivisht për një mbështetje nga një avokat se po mendoj se jam keqpërdorur”, ka thënë dëshmitari. 

Por trupi gjykues ia ka refuzuar kërkesën, pasi ka konstatuar se nuk e ka inkriminuar veten dhe se askush nuk ka pretenduar që ai ka bërë ndonjë vepër penale. 

“I kuptojmë shqetësimet tuaja. Tani unë do t’ju përgjigjem disi pretendimeve tuaja. Që të caktojmë një avokat ne për dëshmitarin duhet të ketë arsye të forta që dëshmitari mendon se po e inkriminon veten dhe mendon se po e akuzojnë se është kryerësi i një krimi. Ky nuk është rasti ynë. Në asnjë moment nuk është ngritur ndonjë pretendim. Jeni një person i nderuar”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith. 

Pas pyetjeve shtesë të trupit gjykues për vijën e raportimit, dëshmitari ka thënë se pas themelimit të zonës operative, brigadat u raportonin zonave operative të cilat më pas i raportonin Shtabit të Përgjithshëm. Ai ka thënë, po ashtu, se ka ekzistuar edhe një njësi, të cilën e ka quajtur “speciale” e që nuk ka qenë në kuadër të zonës operative dhe se kjo njësi i përgjigjej direkt Shtabit të Përgjithshëm. Dëshmitari ka shtuar se nuk është në dijeni se me kë nga Shtabi i Përgjithshëm ka komunikuar kjo njësi, teksa ka shtuar se ajo është udhëhequr nga komandanti, Jehtullah Qarri.
Pas përfundimit të dëshmisë së Fondajt, të mërkurën dëshminë e ka nisur dëshmitari i mbrojtur “04846”. 

Më herët mbrojtja e Rexhep Selimit e pati kundërshtuar pranimin e këtij dëshmitari, me justifikimin se ai është jashtë domenit të aktakuzës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka insistuar se dëshmitari mund t’i kontribuojë vërtetimit të përgjegjësisë së Rexhep Selimit për dy vrasje. 

Në rastin para Gjykatës Speciale, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli e Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, të publikuar në shkurt të 2023-s, ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.