LAJMET E MBRËMJES

Fluks i mërgimtarëve, mbi dy orë pritje në pikëkalimet kufitare

Mbi dy orë kane qenë pritjet e mërgimtarëve gjatë ditës në pikëkalimin kufitar te Dheu i Bardhë. Të dhënat nga Qendra kombëtare për menaxhim kufitar tregojnë se pritje deri në 40 minuta ka pasur edhe në pikëkalimin Muçibabë ndërsa në pikëkalimet e tjera në hyrje për në Kosovë gjendja ishte normale. Se ka pasur fluks të madh të mërgimtarëve e tregojnë edhe të dhënat e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”

Florinda Abazi

Mërgimtarët të cilët kanë zgjedhur që pushimet e fundvitit t’i kalojnë në Kosovë po përballen me pritje në pikëkalimet kufitare Kosovë-Serbi të cilat shkojnë deri në dy e tri orë.

Mbi dy orë ishin pritjet gjatë së hënës në pikën kufitare Dheu i Bardhë në Kamenicë.

Xhemajl Tahiri, që erdhi nga Zvicra për pushime, ka thënë se janë lodhur me pritje në pikëkalimet kufitare. 

“Vuajtjet e mërgimtarëve janë të pafundme. Në fillim të maltreton kroati, 4 orë, mandej vjen në radhë serbi. Këtu, unë nuk e di këtu pse. Unë nuk e kuptoj. Pse serbi mu me m’kontrollu këtu. Shqiptarët kanë të drejtë se po hy në shtet. Po unë këtu po dal. Nuk e di unë nuk e kuptoj absolut. Kjo është veç një lloj maltretimi i gjithë popullatës, gjithë njerëzimit. E këtë e bën po shihet kush”, ka thënë ai.

Ankesa për pritje të gjata patën edhe bashkatdhetarë të tjerë.

“Jemi nisë në orën 9:30 në mëngjes në Gjermani, tash hymë në Kosovë. Rruga ka qenë pak e mundimshme, në Suboticë na ka ra me pritë, duke hy në Serbi. Diku tri orë e gjysmë edhe duke hy në Kosovë pak. Po përndryshe ka shku gjithçka në rregull”, ka thënë Shpend Misini.

E Adnan Zeqiri është shprehur se ka pritur edhe në pikëkalimin kufitar Hungari-Serbi.

“Jam nis ditën e diel, ora 12. 25 orë rrugë, d.m.th deri tash këtu. Vetëm në Hungari kemi prit 5 orë. Në Hungari kemi pritë shumë. Një sjellje jo të mirë. Ashtu duke na provoku, duke na maltretu”, ka thënë ai.

Të dhënat nga Qendra kombëtare për menaxhim kufitar tregojnë se pritje deri në 40 minuta ka pasur edhe në pikëkalimin Muçibabë, ndërsa në pikëkalimet e tjera pritjet në hyrje për në Kosovë ishin vetëm 5 minuta gjatë ditës së hënë. 

Se ka pasur fluks të madh të mërgimtarëve tregojnë edhe të dhënat e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Zyra për informim ka njoftuar se brenda një jave në Kosovës kanë hyrë 53 mijë udhëtarë. 
Prej tyre dominojnë ata që kanë ardhur nga Zvicra.

Qytetarët thonë se fluksi i madh i mërgimtarëve ka ndikuar që të ketë tollovi të madhe trafik.