Në përvjetorin e 25 të çlirimit, në Komunën e Ferizajt është përuruar shtatorja që për së gjalli i është ngritur ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blairit. Në këtë ngjarje, është vlerësuar lart roli që Blair dha për lirinë e Kosovës
Kujtimet e 25 vjetëve më parë i ka ende të freskëta, ish-ushtari i UÇK-së, Kemajl Bislimi. Ato bëhen më të veçanta, kur kujton ditën e çlirimit e ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë, në kohë të luftës.
“Ka qenë një ndjesi e përzier se ishim krahë shokëve që zbritnim bashkë, e që shpesh mendonim që nuk do të ishim më bashkë. Ndjesi e veçantë sa e krenarisë, sa edhe e dhimbjes, e lirinë që e siguruam dhe jemi brezi më me fat që e arritëm këtë liri”, thotë Bislimi. “Edhe pse si të rijnë të asaj kohe prisnim liri, prapë këtë liri e fituam falë aleatëve tanë, falë aleateve ndërkombëtarë”
Njërin prej aleatëve më të mëdhenj ndërkombëtarë në përpjekjen për çlirim, Kosova e pati Tony Blairit, që në fundvitet e ’90-a ishte kryeministër i Britanisë së Madhe.
Në 25 vjetorin e çlirimit, në Komunën e Ferizajt u inaugurua busti i tij.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se shtatorja e ish-kryeministrit britanik është e shenjtë sa liria e Kosovës. Ai tha se fal edhe kontributit ndërkombëtar, Kosova u çlirua.
“Kosova rilindi në qershorin e 25 vjetëve më parë, kjo datë është data kur rilindi Kosova. Ajo nuk u çlirua pa gjak e sakrifica, pa lot dhimbjesh, pa dëshmorët e martirët e saj” Diçka për Tony Blairn”, ka thënë Aliu.
Edhe politikanë e ish-përfaqësues të UÇK-së e vlerësuan lart kontributin që Blair dha për lirinë e Kosovës.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, foli për rolin e ish-politikanit që kishte ndikim të madh në politikat globale.
“Ka qenë ndër të parët që ka dëgjuar thirrjen tonë për ndihmë, thirrjen tonë për të na mbështetur, për t’i dalë zot Kosovës, ashtu siç i kishin dalë në zot ushtarët e UÇK-së”, ka thënë Krasniqi.
E, ndihmën ushtarake që kishin dhënë Kosovës, e ka vlerësuar edhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Agim Çeku, i cili për një periudhë pas luftës ka qenë kryeministër i Kosovës.
“Faleminderit aleatëve tanë, që 25 vjet ne të jetojmë në liri, dhe çdo vjet ta festojmë dhe ta gëzojmë lirinë tonë”, ka thënë Çeku.
E, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, foli për raporte të ngushta mes popullit të Kosovës dhe atij britanik.
“Shumë veteranë, gazetarë që ishin të përfshirë në atë kohë, kishin vendosur të ktheheshin në Kosovë. Është demonstrim i qartë se si ato ngjarje kanë krijuar marrëdhënie të mira në mes të popullit të Kosovës dhe të Britanisë”, ka thënë ambasadori Hargreaves.
Drejtori i fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair” dhe iniciatori, Bashkim Fazliu tha se inaugurimi i kësaj shtatoreje, ani pse u bë me vonesë, shënon freskinë e kujtesën e popullit të Kosovës për kontributin e Blairit në çlirimin e vendit.
Shtatoren e Tony Blairit, që u vendos në sheshin, që mban emrin e ish-kryeministrit britanik, e ka punuar skulptori, Agon Qosa.
Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Blair vizitoi Kosovën. Komuna e Prishtinës ia dhuroi “Çelësin e Qytetit” dhe e shpalli “Qytetar Nderi”.
Nuk do të ndalemi së punuari në mbrojtje të interesave tona shtetërore, siguri ndaj vendit e qytetarëve tanë, sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë.