LAJMET E MBRËMJES

Fëmijët e dëshmorëve protestuan kundër deklaratave të Kurtit për Ivanoviqin

Pankarta me mbishkrime si “Kryeministër, mos na provoko”, “Ivanoviqi vrau shqiptarë” e “Dorëhiqu”, u vendosën para objektit të Qeverisë në protestën e organizuar nga fëmijët e dëshmorëve.

Protesta u thirr për të kundërshtuar deklaratën e Kurtit që bëri në 5-vjetorin e vrasjes se politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Tefik Sejdiu, fëmijë dëshmori, deklaroi se kryeministrit duhet t’i vijë turp për deklaratat e të kërkojë falje për to.

“Kryeministër, unë jam dëshmitar kryesor kundër Oliver Ivanoviqit, ti që e ke shpallur hero, e ty marre duhet me të ardhë. Kryeministër, kërko falje, tre anëtarë të familjes të masakruar plus 28 të tjerë. Kryeministër, kërko falje, turp, turp të kesh, marre për ty Kryeministër”, tha Sejdiu.

Berat Beqiri, një nga organizatorët e protestës, theksoi se deklaratat e tilla të Kurtit do të pasohen me kërkesë për dorëheqje nga pozita që mban.

“Përmes kësaj proteste duam të tregojmë që ka ardhur koha për t’u distancuar dhe për t’i ndërgjegjësuar të gjithë përfaqësuesit tanë politikë, pa përjashtim pozitë apo opozitë, për më shumë kujdes, maturi dhe përgjegjësi ndaj historisë, të tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë. Dhe për t’u thënë se deklaratat e pamatura dhe të rrezikshme politike, ofendimet e tilla si ky që bëri Albin Kurti do të pasohen me kundërshtimin tonë dhe me kërkesën tonë për dorëheqje”, tha Beqiri.

Një protestuese tjetër kishte disa pyetje për drejtuesit e institucioneve.

“Çka na duhet neve një presidente, e cila qëndron përballë deklaratave skandaloze të kryeministrit Kurti? Çka na duhet neve një kryeministër, i cili i shpall hero kriminelët serbë, ndërsa i cilëson kriminelë krerët tanë, çka na duhet një kryeministër dhe një presidente e tillë?” – tha Edona Gashi, protestuese.

Deklarata e kryeministrit ka nxitur reagime të shumta edhe nga opozita.

Por, deri tash nuk ka pasur ndonjë reagim nga Qeveria për kritikat që i janë bërë.

Në deklaratën e tij kreu i Ekzekutivit përshkruante politikanin serb Oliver Ivanoviq si person të përkushtuar për të luftuar interesat e komunitetit dhe si person që punoi për një Kosovë shumetnike.