Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në orët e vona, në fshatin Jabllanicë, të komunës së Gjakovës, ku si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar, tre fëmijë kanë mbetur të vdekur. Dëshmitarët thonë se për gjetjen e trupave u ndihmuan edhe nga zilet e telefonave.
Sipas banorëve, fëmijët, të moshave 13 dhe 16 vjeç, ishin duke luajtur pranë objektit, i cili prej vitesh ishte i braktisur dhe i dëmtuar.
Kur objekti u shemb, ata ndodheshin brenda saj.
Përparim Ademaj tregoi se fillimisht ishte kontaktuar nga prindërit e viktimave, të cilët ishin shqetësuar pasi fëmijët nuk ishin kthyer në shtëpi.
Ai tha se, pasi u takua me familjarët dhe banorët e tjerë, vunë re se objekti ishte shembur.
Kur telefonuan fëmijët për t’i kërkuar, telefonat e tyre filluan të dridheshin nën rrënoja.
“Rreth orës 5, mbas dite nuk na kanë lajmëruar këta djemtë që kanë qenë në objekt. Kah ora 10:30 e kemi vërejtur objektin që është rrëzuar dhe kemi pasur dyshime që janë në të. Mbas një minute kanë bërë telefonat që janë në objekt dhe kemi lajmëruar menjëherë policinë për rastin që ka ndodhur në Jabllanicë. Me traktor, duke i çuar përpjetë, në bazë të telefonave i largonim”, ka deklaruar ai.
Tërheqja e trupave të fëmijëve ishte bërë nga banorët e fshatit.
“Na kem bajagi shumë edhe e bëmë intervenimin, nuk kanë pasur nevojë ata me marrë pjesë se na veç i larguam. Dy kanë qenë këtu, njëri ka qenë andej. Nuk ka pasur gjasa me shpëtu se kanë kanë qëndru gjatë nën gërmadha”, u shpreh Bajrush Brahimi, banor.
Banorët treguan se objekti që dikur shërbente si shitore ishte djegur gjatë luftës.
“Kjo ka qenë një shitore e paraluftës, është djegur në luftë edhe nuk është marrë kurrkush më me të. Është si anash fshatit këtu e nuk i ka interesuar kurrkujt po edhe nuk ka pasur shumë lëvizje të njerëzve këtu. Po kush nuk e ka menduar këtë rast që na ndodh kjo”, ka shtuar ai.
Familjarët e viktimave kanë bërë të ditur se trupat e tre të miturve do të varrosen të hënën në varrezat e fshatit Jabllanicë.