LAJMET E MBRËMJES

Familjarë e aktivistë të Vetëvendosjes kërkojnë drejtësi për Astrit Deharin

Drejtësi për rastin e vdekjes së Astrit Deharit kërkuan në një protestë para Prokurorisë Speciale, familjarët e të ndjerit, së bashku me një numër qytetarësh dhe me aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Avni Dehari, babai i Astritit, ka thënë se rasti është dashur të zbardhej 7 vjet më parë, kur sipas tij, prokurorët i kanë pasur të gjitha dokumentet dhe ekspertizat e nevojshme për ta realizuar hetimin.

“Po bëhen 7 vjet që ne si familje, qytetarët e Kosovës dhe shokët e Astritit po kërkojnë drejtësi për vrasjen e Astritit në burgun e Prizrenit, që ishte një arrestim i inskenuar i politikës së kohës flet vetë fakti se gjithë shokët e Astritit janë shpallur të pa fajshëm, pra ka qenë një inskenim për qëllime politike e jo për veprën që është bërë. Prej 7 vjetësh drejtësia është peng në duar të prokurorisë”, ka thënë Avni Dehari.

Ndërkaq, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka thënë se Astriti është vrarë në duart e shtetit në qendrën e paraburgimit në Prizren.

“Deri më tash, Prokuroria Speciale e Kosovës ka mbi 5 vjet që e ka marrë këtë rast dhe pasnesër që bëhen 7 vjet nga hetimi i këtij rasti, nuk e ka përfunduar rastin ashtu siç provat tregojnë. Prokuroria e dinë më mirë se të gjithë ne sepse i kanë gjitha provat se Astrit Dehari është vra. Mirëpo ne nuk i dimë arsyet”, ka deklaruar Gashi.

Prokuroria Speciale nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS, për pretendimet që janë shprehur në protestë.

Astrit Dehari është gjetur i vdekur shtatë vjet më parë në qendrën e paraburgimit në Prizren, ku po mbahej me një grup aktivistësh të Vetëvendosjes, nën dyshimin për pjesëmarrje në sulmin me mjet shpërthyes në Kuvend. Në shkallë të parë, të dyshuarit janë shpallur të pafajshëm e rasti tani ndodhet në Apel.