LAJMET E MBRËMJES

“Falja e 9 milionëve”, rekomandohet shkarkimi i 4 anëtarëve të Bordit të KPMM-së

Me 6 vota për, Komisioni për Ekonomi ia ka rekomanduar Kuvendit shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, pas pretendimeve për faljen e borxhit prej 9 milionësh për ndërmarrjen “Ferronikeli”. Mbledhja e Komisionit është përcjellë me përplasje të shumta, si në mes të anëtarëve të Komisionit, ashtu edhe me anëtarët e Bordit të KPMM-së

Komisioni për Ekonomi ka rekomanduar shkarkimin e katër anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale pas pretendimeve për faljen e borxhit prej 9 milionësh për ndërmarrjen “Ferronikeli”.

Para votimit, anëtarët e Komisionit i kanë intervistuar ata duke kërkuar përgjegjësi për veprimet e marra. Debati që zgjati rreth katër orë u përcoll me akuza të shumta mes vetë anëtarëve të Komisionit, por edhe me ata ta KPMM-së.

“Një prej arsyeve pse është iniciuar kjo kërkesë është falja e borxhit të rentës minerare kompanisë ‘Ferronikel’ me pronar Samir Mane nga Shqipëria. Mbi bazën e çfarë vendimi është marrë ai vendim për lirimin nga obligimet e rentës minerare në gusht të vitit të kaluar”, ka thënë Armend Muja, anëtar i Komisionit nga Vetëvendosje.

Kryetarja e Bordit, Selvete Grajqevci – Pllana, ka pranuar se kanë pasur takim me ish-pronarin e “Ferronikelit”, por ka mohuar t’i jetë falur borxhi kësaj kompanie.

“Ne nuk e kemi konsideruar borxh këtë, për arsye se ata (Ferronikeli) kanë raportuar, por tash pse është lejuar dhjetë vjet me raportu “Ferronikeli” dhe askush nga KPMM-ja mos me i thënë që nuk je duke raportuar drejt”, ka thënë Grajçevci-Pllana.

E anëtari tjetër i Bordit të KPMM-së, Gani Maliqi, ka akuzuar deputetin Muja se pas gjithë kësaj fshihet diçka personale.

“Deputeti Armend Muja nuk është i interesuar me i çu përpara agjendat e shtetit, por është për me i çu përpara agjendat personale të vetat”, është shprehur Maliqi.

Ndaj këtyre akuzave ka reaguar Mimoza Kusari-Lila, shefe e GP të Vetëvendosjes.

“Nëse zoti Maliqi ka vlerësime në raport me vendimmarrje, por etiketime dhe kualifikime për përkushtimin apo dashurinë ndaj shtetit nuk kemi ardhur me dëgju. Keni të drejtë me fol me fakte”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala, ka kërkuar që të tërhiqet kërkesa për shkarkim.

“Unë jam që me tërheq kërkesën për shkarkim, moralisht e kanë obligim mazhoranca me e tërheq kërkesën për shkarkim. Nuk interferoj në procesin gjyqësor për ‘Feronikelin’”, ka theksuar Shala.

Pretendimet për faljen e borxhit prej 9 milionë eurosh për “Ferronikelin” po hetohen nga Prokuroria Speciale.

E përplasje pati edhe mes anëtarëve të Komisionit, pas kërkesës që Muja kishte bërë te kryetari i Kuvendit që t’ia ndalojë kryetarit Ferat Shala që të jetë pjesë e Komisionit kur diskutohet për “Ferronikelin”.

“Mos rrej, kjo është shpifje. Asnjëherë bashkëshortja ime nuk ka punuar në ‘Ferronikel’. Po rreni”, i ka thënë Shala deputetit Muja.

Debati vazhdoi edhe pas përfundimit të mbledhjes, kur deputeti i AAK-së, Pal Lekaj i drejtohet me tone fyese deputetit të VV-së, Armend Muja.

Vendimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Bordit të KPMM-së: Selvete Grajqevci-Pllana, Gani Kastrati, Gani Maliqi dhe Rrezarta Pushkolli-Makolli i është përcjellë Kuvendit. Një ditë para këtij vendimi, anëtari i Bordit, Jahir Gashi, ka dhënë dorëheqjen.