Tek u është përgjigjur pyetjeve nga prokuroria dhe nga mbrojtja, dëshmitari Geci ka thënë se menjëherë pasi që e ka kuptuar se Thaçi e ka shkruar komunikatën numër 59, ai ka shkuar në shtëpinë e tij. Në këtë komunikatë, sipas dëshmitarit, vëllai i tij, Gani Geci, është fajësuar si tradhtar pas vrasjes së pjesëtarit të UÇK-së, Abedin Rexha – i njohur si Sandokani
Ish-deputeti Fadil Geci në ditën e dytë të dëshmisë para Dhomave të Specializuara në Hagë ka theksuar të martën se ish-presidenti, Hashim Thaçi, e ka pasur synim pushtetin dhe se për këtë arsye ai ka dashur që t’i eliminojë pjesëtarët e Lidhjes Demokratike (LDK) në Drenicë e të cilët i ka parë si pengesë.
Ai ka thënë menjëherë pasi që e ka kuptuar se Thaçi e ka shkruar komunikatën numër 59, ai ka shkuar në shtëpinë e tij. Në këtë komunikatë, sipas dëshmitarit, vëllai i tij, Gani Geci, është fajësuar si tradhtar pas vrasjes së pjesëtarit të UÇK-së, Abedin Rexha – i njohur si Sandokani.
“Unë prej ditës së parë që e ka shkruar, unë kam ditur e i kam shkuar në shtëpi dhe i kam thënë: ama përgjigjen për komunikatën 59. Ka thënë brenda një muaj, babai i tij ta jap përgjigjen. Kurrë s’e ka dhënë përgjigjen.... Nuk e ka dhënë përgjigjen, se ka menduar... Jasharët, i likuiduan, ky njerëzit e vdekur i ka dashtë edhe i ka përmendë, jo të gjallët. E ne jemi gjallë. Ka menduar edhe neve të na likuidojë, po jemi këtu dhe na ka ruajtur zoti që ta themi të vërtetën dhe ta shkruajmë të vërtetën e jo rrenën edhe vetëm të vërtetën, të gjitha këto janë të sakta”, ka thënë Geci.
Ai ka theksuar se disa shokë të tij nga dega e LDK-së në Drenicë janë vrarë dhe janë kërcënuar.
“Me metoda komuniste është vepruar, me metoda marksiste-leniniste, me t’i vra shokët. M’u kanë vra gjashtë shokë në Drenicë. Njerëzit më të mirë të mundshëm m’u kanë vra. Haki Imeri u vra, Xhafer Behrami u vra, u kërcënua Bahtir Kastrati, një burrë shumë i fortë i asaj ane, Ismet Rrahmani është vrarë”, ka theksuar ai.
Për aktivistin e LDK-së, Haki Imeri, ai ka thënë se është bërë hero porse gjatë luftës u pati etiketuar si tradhtar.
“Ai rast është Haki Imeri. Është vra dhe është shpallur hero. Tash kush është tradhtar? A janë tradhtarë vrasësit apo heroi? Ai ka qenë me të vërtetë hero. Pse të quhet tradhtar. Një njeri me dy fakultete. Një bashkëpunëtor i ngushtë i imi. Me fletë të LDK-së të Kuvendit në xhep, e ka pas sepse e kemi pasur Kuvendin ta mbajmë atëherë. Vetëm pse në atë pjesë atje nuk ka pasur tjetër me ndikim”, ka thënë dëshmitari. Në kohën sa ka qenë president, Thaçi e pati dekoruar post-mortem Haki Imerin me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Dëshmitari Geci, tek i është përgjigjur pyetjes së mbrojtësit të Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, ka thënë se pos familjarëve të ish-presidentit nuk ka pasur dëshmitarë të tjerë që e dinë se ai ka shkuar në shtëpinë e Thaçit për të kërkuar përgjigje mbi komunikatën që ia etiketoi vëllain.
Dëshmitari ka thënë po ashtu se në kohën kur ai dhe Ramë Buja kanë qenë deputetë të Kuvendit, Buja i ka thënë t’i ketë dalë problem për që e ka kundërshtuar komunikatën numër 59.
“Po, më ka thënë që kem, kem biseduar në Shtab, ai i din ato. Po thotë kam pasur edhe unë pasoja, edhe unë pse kam fol për ju. Bile më thotë se unë e kam hëngër plumb pse ju kam mbrojtur juve, e ju keni pasur të drejtë edhe ju mirë na e keni bërë se keni pasur të drejtë. I kam thënë mos, nuk më kanë dëgjuar dh e mbajshi me shëndet. Le ta mbajnë. Ta marrim përgjegjësinë”, është shprehur Geci tek iu përgjigj pyetjes së prokurorit, James Pace.
E në përgjigje për pyetjet e avokatit Mishetiqit, Geci ka thënë se është e vërtetë që vëllai i tij, Gani Geci, ia ka besuar Thaçit ndërmjetësimin me Azem Sylën, kur ai pati telashe me Sylën.
E lidhur me akuzën se Geci e ka vrarë Abedin Rexhën, ai u përgjigj se vëllai i tij është vetëmbrojtur kur është vënë në pritë dhe se raporti i mjekësisë ligjore nuk e ka vërtetuar shkakun e vdekjes, kur rasti është gjykuar prej EULEX-it. Dëshmitari ka theksuar se asokohe ai i bindej vetëm ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, me të cilin dëgjohej nëpërmjet telefonit.
Ai po ashtu e ka konfirmuar deklaratën paraprake dhënë Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), me ç’rast pati thënë se nga Tahir Zemaj është informuar se anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nuk ia kanë pranuar emërimin si komandant zone, që ia pati bërë Ahmet Krasniqi.
“Disa herë jam takuar me z. Zemaj, ka qenë oficer i karrierës dhe kam pasur besim shumë të madh tek ai...Kemi biseduar për shumë gjëra kur ishim vetëm dhe më ka thënë: po të mos vinin... Se këta kanë ardhur pas një... që e kanë bërë. E kanë bërë një marrëveshje (Tahir Zemaj dhe Ramush Haradinaj) që Tahir Zemaj të jetë komandant në Dukagjin, që zëvendëskomandant të jetë Ramush Haradinaj dhe gjithçka do të shkonte perfekt. Ka pranuar edhe Ramush Haradinaj... Kurse shkuarja (v.j pas shkuarjes) e Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit aty (në Dukagjin)...nuk është pranuar ajo dhe pasojat e telashet i ka pasur të mëdha krejt ajo zonë që nuk ka qenë interes hiç”, është shpreh ai. Ka folur edhe lidhur me aktivistët e LDK-së, Cen Desku dhe Jakup Kastrati. Ai ka theksuar se ata gjatë viteve të para të pasluftës i kanë thënë se Hashim Thaçi ka qëndruar prapa ndalimit të tyre nga pjesëtarët e UÇK-së.
Në rastin para Dhomave të Specializuara, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, të publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se ata kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit përfshirë këtu Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.