LAJMET E MBRËMJES

EULEX: Hapja e Urës së Ibrit mund të ketë implikime serioze në siguri

Ura e Ibrit

Foto: Driton Paçarada

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se situata e sigurisë në vend është e brishtë dhe se ka shqetësime për tensione të mundshme.

Barbano në një intervistë për KSP-në ka folur edhe për iniciativën e hapjes së Urës së Ibrit, për çka konsideroi se ka implikime serioze në siguri.

"Kjo është diçka që duhet trajtuar në kuadër të dialogut, natyrisht, është një aspekt për të cilin ne jemi të shqetësuar sepse mund të ketë implikime serioze në siguri. Dhe ne presim që mençuria të përdoret në këtë drejtim", ka theksuar Barbano.

Sipas tij, agresioni në Banjskë dëshmoi brishtësinë dhe cenueshmërinë e vendit, për çka shprehet se duhet të ketë edhe vëmendje të veçantë nga institucionet.

"Banjska e ka dëshmuar brishtësinë dhe cenueshmërinë e kësaj zone. Dhe kështu, kjo zonë kërkon vëmendje të veçantë. Ne jemi vigjilentë për të parandaluar çdo kthim, çdo rikthim të mundshëm të dhunës, përmes pranisë sonë, vigjilente dhe të dukshme. Ne po kryejmë patrullime 24/7 në veri me formën tonë në njësinë policore dhe jemi të gatshëm të reagojmë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës, përkatësisht të Policisë së Kosovës, si reagues i dytë i sigurisë me forcën tonë të reagimit të shpejtë për të adresuar trazirat e mundshme civile", shtoi ai.

Teksa komentoi agresionin serb në Banjskë të Zveçanit, Barbano tha se pret që Serbia të mbajë përgjegjës ata që kryen agresionin.

"Presim që Serbia të ushtrojë fuqinë e saj për të mbajtur përgjegjës ata që kryen këtë sulm. Gjithashtu duhet të kemi parasysh që të rrisim ndërgjegjësimin dhe vigjilencën tonë për të parandaluar që një sulm i tillë të mund të përsëritet. Dhe jo vetëm EULEX-i, por të gjitha institucionet e tjera të sigurisë. Nuk mund të flas se çfarë po bën KFOR-i, për të parandaluar një sulm të tillë, por është e qartë se Kosova ka përforcuar praninë dhe kapacitetet e saj përgjatë kufirit. Por edhe Serbia duhet të bëjë të pamundurën për të parandaluar që një dukuri e tillë të përsëritet. Dhe nëse diçka do të përsëritej, kjo do të thotë se me shumë gjasa, institucionet në Serbi, institucioni i sigurisë në Serbi nuk kishte arritur të parandalonte një sulm si ky. Pra, përsëri, një sulm mund të jetë i mundur, por ne e shohim atë si një mundësi shumë të rrallë për të ndodhur. Autorët e sulmit në Banjskë duhet t'i nënshtrohen drejtësisë. Dhe kjo bëhet përmes institucioneve përkatëse dhe autoriteteve përkatëse", theksoi ai.