Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e dinarit serb në Kosovë, do ta sjellin sërish këtë javë në Kosovë emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. E, Brukseli ka kritikuar palët se në vend që të angazhohen për zbatimin e marrëveshjeve për të cilat janë dakorduar, ato po merren me komente publike
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këtë javë do ta vizitojë Kosovën për të diskutuar me udhëheqës institucionalë rreth dialogut dhe vendimit për ndalimin e dinarit serb në Kosovë. Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit përmendet nevoja që qytetarëve serbë të mos u ndërpriten pagesat pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së për operacionet me para të gatshme.
“Në Kosovë ai do të takohet me udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb të Kosovës për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Emisari special do të zhvillojë takime mbi ndikimin e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me operacionet me para të gatshme dhe do të inkurajojë të merren hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve të Kosovës të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje”, shkruan në njoftim.
SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pas vendimit për dinarin duke paralajmëruar se nuk do ta konsiderojnë Qeverinë partnere për shkak të shpërfilljes së kërkesës amerikane.
“Ne jemi shumë të shqetësuar, sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht”, pati deklaruar Escobar më 23 shkurt.
Veç Kosovës, Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Austrinë dhe Malin e Zi.
“Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat synojnë integrimin euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, thuhet në njoftimin e DASH-it.
BE-ja kritikon palët për ngecjet
Vizita e Escobarit vjen në kohën kur dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli ka ngecur. Për pasojë, asnjëra prej pikave të dakorduara para një viti në Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e arritur në Ohër më 18 mars nuk ka nisur të zbatohet.
Zyrtarë të Bashkimi Evropian kanë akuzuar palët në dialogun Kosovë-Serbi se nuk po angazhohen mjaftueshëm për zbatimin e marrëveshjeve.
Në konferencën e së hënës, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se procesi i përgatitjes së negociatave duhet të trajtohet në nivel të punës dhe jo komenteve në publik.
“Fatkeqësisht, nuk është punuar shumë për zbatimin për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve. Prioriteti ynë kryesor është që ata të fillojnë të zbatojnë në mënyrën më të mirë atë për të cilën u angazhuan. Pa diskutuar hapat proceduralë, prioriteti më urgjent është të sigurohemi që zbatimi të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është ajo që ne po fokusohemi dhe jemi të gatshëm të komentojmë sa herë të jetë e nevojshme, por për procedurat nuk shkojmë në detaje. E kemi thënë shumë herë se procesi i përgatitjes së dialogut në hapa individualë, në faza individuale është diçka që supozohet të trajtohet pikërisht në procesin e punës dhe në nivelin e punës dhe jo të zhvillohet e të komentohet në publik çdo ditë”, ka thënë Stano.
Ai është pyetur edhe për takimin e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq, në një restorant me protagonistin e sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq. Zyrtari evropian ka thënë se nuk i takon BE-së të komentojë çdo takim të anëtarëve të administratës serbe.
“Nuk na takon ne të komentojmë çdo takim të anëtarëve të administratës serbe me njerëz të ndryshëm. Mendoj se kë takoni reflekton mbi ju, qoftë ai i dyshuar për veprime kriminale, por kur aludohet për sulmin në Banjskë, qëndrimi i Bashkimit Evropian mbetet i njëjtë, presim zyrtarisht raportin përfundimtar mbi hetimin dhe atëherë do të shohim se si të veprohet tutje, deri tani këtu në Bruksel nuk kemi parë asnjë raport”, ka thënë ai.
shkak të zhvillimeve në veri, BE-ja vazhdon ta mbajë nën masa sanksionuese Kosovën, derisa për Serbinë nuk ka një vendim nga ana e Brukselit, me gjithë insistimin e Qeverisë së Kosovës se ajo qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Në pritje të raportit për Banjskën, SHBA-ja dhe BE-ja u kanë kërkuar palëve që të mos vënë pengesa në dialogun e Brukselit. Si pengesë u pa edhe zbatimi i vendimit për dinarin, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet në Bruksel.
Serbia ngre degë të improvizuara afër pikëkalimeve kufitare me Kosovën
Vendimin vazhdon ta denoncojë edhe Serbia tek u është kthyer formave alternative për t’ua mundësuar serbëve të Kosovës pagesat në dinarë. Të hënën e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se Banka e Kursimeve Postare e Serbisë i ka ngritur katër degë të improvizuara në afërsi të vendkalimeve kufitare Jarinjë, Bërnjak, Konçul dhe Merdar. Sipas tyre, ngritja e këtyre degëve bëhet me qëllim që të mundësohen pagesat me para të gatshme për klientët e saj nga Kosova, si dhe për të siguruar qasje sa më të afërt, arkë, ATM dhe shërbime të tjera bankare.
“Këto degë janë vendosur në lokacione sa më të afërta nga vendkalimet, duke qenë se një zgjidhje e tillë teknike është e vetmja e realizueshme në rrethanat që ndodhemi”, thuhet në njoftim. “Për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe të paligjshme të Albin Kurtit, i cili nga 1 shkurti i këtij viti ndaloi përdorimin e dinarëve dhe listës së pagave të Republikës së Serbisë në Kosovë dhe M., serbët nuk janë në gjendje të tërheqin pagat, pensionet, socialet dhe të gjitha përfitimet e tjera të paguara nga shteti i Serbisë, të cilat janë të nevojshme për jetën dhe punën e tyre”.
Më tej bëhet e ditur se nga e hëna degët e sapokrijuara të kësaj banke do të jenë në dispozicion të qytetarëve çdo ditë pune dhe të shtunën nga ora 09:00 deri në 17:00.
Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi nga 1 shkurti dhe ajo e njeh vetëm euron si valutë me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme.