Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se tensionet në mes të Kosovës e Serbisë kanë potencial që të shndërrohen në një konflikt rajonal. Ai, gjatë një debati të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Washington, bashkë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, e shprehu shqetësimin e SHBA-së dhe të BE-së për këtë rrezik. Ndërkaq, emisari evropian potencoi se shtensionimi i situatës në veri të Kosovës e përbën prioritetin kryesor
Tensionet mes Kosovës e Serbisë, sipas emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë “potencial që të shndërrohen në një konflikt rajonal”.
Ai, gjatë një debati në Këshillin e Atlantikut në Washington, të mbajtur bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, theksoi se SHBA-ja dhe BE-ja janë të shqetësuar lidhur me këtë rrezik.
“Kjo [situata] ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal, në një konfrontim rajonal. Prandaj, ne jemi shumë mbështetës të përpjekjeve evropiane”, tha Escobar.
I pyetur lidhur me këtë qëndrim të Escobar, kryeministri Albin Kurti gjatë një konference për media theksoi se është mirë që emisari amerikan të pyetet se për cilat shtete të tjera, pos Kosovës e Serbisë, i ka menduar ai.
“Do të duhej ta pyesni emisarin Escobar kur ka folur për konflikt rajonal për cilat shtete pos Kosovës e Serbisë ka menduar. Mali i Zi s’e besoj, Maqedonia e Veriut po ashtu. Kryeministri Rama ka kërcënuar Beogradin, ndoshta. Por do të duhej ta pyesni emisarin Escobar për këtë”, tha Kurti.
Escobar, në debat, i ka dhënë përgjigje edhe pyetjes lidhur me akuzat e adresuara se SHBA-ja dhe BE-ja janë treguar më të buta në qëndrime ndaj Serbisë dhe më të ashpra me Kosovën.
“I sfidoj të gjithë që të më tregojnë se kur kemi qenë të ashpër me Kosovën dhe të butë ndaj Serbisë. Çfarë po kërkojmë nga Kosova është koordinimi i ngushtë dhe të pranojë obligimet ndërkombëtare. Nuk mendoj se kjo mund të përkthehet se ne jemi të ashpër me Kosovën. Mendoj se është e kundërta”, tha Escobar.
E emisari Lajçak theksoi se prioriteti kryesor tani është shtensionimi i situatës në veri dhe më pas kthimi i palëve në dialog.
“Të largojmë njerëzit nga rruga dhe të rikthehemi në dialog. Si pjesë e procesit të normalizimit është që të kemi zgjedhje të reja, me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, pa parakushte. Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë situatën, atëherë ne po presim që të kemi viktima”, tha Lajçak.
Tensionet në veri janë ngritur që nga 26 maji, kur serbët i nisën protestat kundër vendosjes së kryetarëve të rinj nëpër objektet komunale, me shoqërim të Policisë.
E gjashtë ditë më parë, tre pjesëtarë të policisë kufitare të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, e në kundërpërgjigje, Qeveria i shtoi masat e sigurisë, duke mos i lejuar kamionët nga Serbia që të hyjnë në Kosovë.