LAJMET E MBRËMJES

Escobar mirëpret urdhrin për pronat e Manastirit të Deçanit

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka nisur të mërkurën vizitën dyditore në Kosovë. Ai është takuar me presidenten Vjosa Osmani, me ç’rast ka përshëndetur urdhrin e kryeministrit për zbatimin e vendimit të Kushtetueses në lidhje me pronat rreth Manastirit të Deçanit. Escobar ka kërkuar që Kosova edhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen e arritur vitin e shkuar dhe ka ftuar Serbinë që t’i mbajë përgjegjës kryerësit e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë

Hap qenësor drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE) e ka vlerësuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkesën e Qeverisë që Agjencia Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat rreth Manastirit të Deçanit.

Presidentja e deklaroi këtë të mërkurën, në një konferencë për media me emisarin e Shteteve të Bashkuara (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili e nisi vizitën dyditore në Kosovë. E, vetëm dy orë para konferencës, kryeministri Albin Kurti kumtoi se ka urdhëruar Agjencinë kadastrale ta zbatojë vendimin, kërkesë kjo e vazhdueshme e ndërkombëtarëve.

Presidentja Osmani tha se bashkëpunimi me aleatët, veçanërisht SHBA-në, duhet të jetë bosht i veprimeve të institucioneve të Kosovës.

“Bashkëpunimi me aleatët tanë është jo vetëm i dobishëm, por i domosdoshëm. Kjo është jetike sidomos sot kur Kosova tashmë ka ndërmarrë hapa krucialë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ne i falënderojmë të gjitha shtetet mike për përkrahjen e deritanishme dhe do të punojmë që kjo përkrahje të rritet deri në anëtarësimin e plotë në këtë organizatë, si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare ku Kosova duhet ta zërë vendin e merituar”, ka thënë presidentja Osmani.

Kërkesa që Manastirit të Deçanit t’i njihen 24 hektarët e kontestuar që nga 2016-a, është mirëpritur edhe nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar.

“Dëshiroj të përmend se sa i rëndësishëm është vendimi i sotshëm për Manastirin. Ishte hap i vështirë, por i domosdoshëm dhe i falënderoj institucionet e Kosovës për këtë hap”, ka thënë gjatë deklarimit me presidenten Osmani.

Regjistrimi në Kadastër i 24 hektarëve është kundërshtuar nga pothuajse të gjitha institucionet në Kosovë, përfshirë edhe Komunën e Deçanit.

Kjo është bërë me pretendimin se hapësirat u takojnë ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit i janë falur manastirit. Në vitin 2016, pronësinë e këtyre pronave Gjykata Kushtetuese ia ka njohur Manastirit të Deçanit.

Por ai vendim nuk është zbatuar me arsyetimin se me të është legalizuar vendimi i pushtetit të ish-presidentit serb, që gjatë viteve ’90 ka marrë shumë vendime diskriminuese.

Qëndrim të njëjtë presidentja Osmani e emisari Escobar kanë shprehur edhe sa i përket zbatimit të Marrëveshjes me Serbinë të arritur vitin e shkuar në Bruksel e aneksit të saj në Ohër.

Por, Osmani ka shprehur shqetësime për procesin e ndërmjetësimit e edhe për kërkesat e Bashkimit Evropian (BE).

“Suksesi i këtij procesi varet edhe nga qasja parimore dhe e barabartë e ndërmjetësuesit, në këtë rast të BE-së ndaj palëve dhe është kruciale të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara në vitin e kaluar, veçanërisht Marrëveshjes bazike të shkurtit 2023 dhe aneksit të Ohrit. Prandaj qasja selektive vetëm ndaj neneve të caktuara të marrëveshjes bazike nuk do të ndihmojë, sepse të gjitha nenet kanë rëndësi, prandaj edhe zbatimi duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesshëm”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, emisari amerikan, ka theksuar se veprime drejt zbatimit të marrëveshjes duhet ndërmarrë edhe nga Serbia.

“Të dyja palët do të duhet që të vazhdojnë me zbatimin e plotë për të pasur një marrëveshje historike, por ne ftojmë edhe Serbinë që të vazhdojë ta zbatojë. Nuk duhet vetëm përpjekja unilaterale e Kosovës dhe marrja e vendimeve të zorshme e të vështira nga ajo, që Marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, ka thënë Escobar.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar për Marrëveshjen bazë e aneksin e saj vitin e shkuar. Zbatimin ka refuzuar që ta bëjë Serbia, derisa për një gjë të tillë, Bashkimit Evropian i është dorëzuar edhe një letër nga kryeministrja Ana Brnabiq.

Ndërkombëtarët janë duke i kërkuar Kosovës që të bëjë hapa drejt zbatimit të marrëveshjes, me fokus formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, draftin e statutit të të cilit e ka pranuar kryeministri Kurti.

Por, që të ecë para me zbatimin, pala kosovare ka kërkuar garanci përmes vënies së nënshkrimeve mbi marrëveshje, gjë të cilën refuzon ta bëjë Serbia. As ndërkombëtarët nuk kanë insistuar që Beogradi zyrtar ta bëjë këtë, me arsyetimin se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme.

Presioni ndërkombëtar e edhe kritikat janë drejtuar te kryeministri Kurti, pas vendimit të Bankës Qendrore (BQK) për rregulloren në lidhje me operacionet me para të gatshme, hyrja në fuqi e së cilës u kërkua që të shtyhet. Kjo, pasi përmes kësaj rregulloreje përcaktohet se euroja është valuta zyrtare në Kosovë, me çka ndalohet dinari serb.

Të mërkurën, presidentja Osmani paralajmëroi gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.

“Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i kësaj rregulloreje është i mundshëm në bashkëpunim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve tanë. Aleatët tanë janë pro zbatimit të Kushtetutës dhe në favor të një plani tranzicional të qëndrueshëm, prandaj besoj se edhe çështja e kësaj rregulloreje do të ecet përpara me një zgjidhje të përbashkët e në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani dhe emisari Escobar thanë se kanë diskutuar edhe për çështjen e Rregullores, por edhe sulmin e 24 shtatorit, që në Banjskë të Zveçanit është kryer nga një grup paraushtarak serb. Që të dy kërkuan që kryerësit e sulmit të vihen para drejtësisë.

Osmani tha se Serbia duhet t’i ekstradojë në Kosovë “të gjithë ata që ishin pjesë e planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti agresioni kundër Republikës së Kosovës dhe kundër stabilitetit në rajon”.

“Ndërsa ne do të vazhdojmë t’i zbatojmë standardet më të larta për një gjykim të drejtë dhe do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në që kufiri ynë të jetë i sigurt dhe që të parandalojmë sulme të tilla në të ardhmen, për çka jam e bindur që edhe në qoftë se Serbia në të ardhmen tenton një gjë të tillë, përderisa punojmë së bashku do të dështojë ashtu siç ka dështuar edhe më 24 shtator”, ka theksuar Osmani.

Edhe emisari Escobar tha se SHBA-të janë të shqetësuara për sulmin.

“Ftojmë Serbinë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë, të japin llogari të plotë për atë sulm”, ka thënë ai.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Escobar do të takojë edhe përfaqësues të opozitës, shoqërisë civile e të enjten edhe kryeministrin Kurti.