LAJMET E MBRËMJES

Ende pa hyrë në fuqi rritja e çmimit të rrymës, qytetarët nisin t’i ndiejnë pasojat

Rritje çmimesh janë vërejtur në furra e kafene, pas vendimit për rritjen e çmimit të rrymës. Vendimi për shtrenjtim të rrymës do të hyjë në fuqi më 1 maj, por bizneset i kanë paraprirë kësaj me shtrenjtim të produkteve

Një bukë në disa furra në Prishtinë, nga java që shkoi ka shkuar në 80 centë, teksa kafeja në shumë kafene të Prishtinës vështirë të gjendet nën 1 euro.

Por ky është vetëm fillimi i shtrenjtimit të produkteve, paralajmërojnë përfaqësues të bizneseve.

E gjithë kjo valë rritjeje, sipas Hysen Sogojevës, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, është pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Veç kanë filluar diku, kafja ka filluar të bëhet 1 euro e 30 centë apo 1 euro e 40 deri në 1 e 50. Në momentin kur shtrenjtohet shërbimi, normal që klientela zvogëlohet. Me zvogëlimin e klientelës bizneset, edhe ashtu që nuk janë të ndihmuara nga shteti... Tani kur në Prishtinë tek rruga B qysh më herët kanë filluar, sepse nuk është gjendja e mirë...Shtrenjtimi i rrymës lidhet varg me shtrenjtimet e tjera”, ka thënë Sogojeva.

Barra më e madhe e shtrenjtimit bie mbi qytetarët, që kanë nisur ta ndjejnë rritjen.

“Jo vetëm në furra dhe markete, po çdokund po i ngrenë çmimet. Kudo që janë po vjedhin, po i ngrenë çmimet. Punëtorët e shkretë po punojnë me çmime të ulëta...Po vërejmë ë (rritje të çmimeve) çdo qytetar jo veç unë vëren çmime. Sot është çmimi i ulët, nesër pa kurrfarë paralajmërimi del. Pse nuk po i rritin pagat, të ardhurat për qytetarët, e më pas le t'ua ngrenë edhe çmimet”, ka thënë qytetari Viktor Sopi.

E Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori”, ka thënë se disa çmime të produkteve janë rritur ende pa u shtrenjtuar rryma.

“Aty këtu kanë filluar rritje të çmimeve që nga momenti i paralajmërimit të shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike që ka qenë një vendim ose një paralajmërim i pamatur i qeverisë, ministrisë dhe ZRrE-së. Që atëherë është shkaktuar vala e ngritjes së çmimeve... Në momentin kur qeveria dhe ZRrE-ja e kanë paralajmëruar ngritjen e çmimeve është dashur të dalin edhe me masën e parandalimit të ngritjes së çmimeve para kohe”, ka thënë Kaçaniku.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë, më 16 prill ka vendosur për të rritur çmimin e energjisë elektrike, mesatarisht për 16.1 për qind. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 maj.

Kundër shtrenjtimit pati protesta e reagime, por vendimi u mor.