Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, është duke qëndruar në Kosovë. Të enjten, ai është takuar me liderët shtetërorë. Nga takimet hollësi mbi diskutimet kanë ndarë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e ministrat Ejup Maqedonci e Xhelal Sveçla
Siguria dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës kanë qenë tema bosht të diskutimeve që i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka diskutuar të enjten në Prishtinë me udhëheqësit shtetërorë.
Gjatë vizitës, ai ka takuar edhe ministrin e Mbrojtjes, atë të Punëve të Brendshme e përfaqësues nga Policia e Kosovës.
Pas takimit me emisarin Peach, nga zyra e presidentes Vjosa Osmani, pos sfidave të sigurisë, është thënë se është kërkuar edhe mbështetja e Britanisë së Madhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën. Tutje, presidentja Osmani ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Presidencës.
E nga takimi me emisarin britanik, zyra e kryeministrit të Kosovës ka veçuar edhe mbështetjen e Britanisë në fushën e mbrojtjes e sigurisë. Në njoftim është përmendur dërgimi i 200 ushtarëve shtesë nga Mbretëria e Bashkuar pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
“Zhvillimet në rajon, me theks në sundimin e ligjit dhe sigurisë, ishin temë e diskutimit dhe e interesimit të përbashkët. Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se ligjshmëria dhe siguria shkojnë bashkë. Në takim u diskutua edhe për sigurinë e Kosovës. Kryeministri theksoi rëndësinë e sigurisë së kufirit me Serbinë, prej nga edhe vjen agresioni ndaj Kosovës, siç edhe u dëshmua në shtatorin e vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në takim, njoftoi se ka theksuar përkushtimin për ruajtjen e stabilitetit dhe përmbushjen e synimit për anëtarësim në NATO e BE.
“Diskutuam rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimin e FSK-së si dhe operacionin Interflex që po zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar me pjesëmarrje edhe të trupave të FSK-së. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka ofruar Kosovës në çështje të sigurisë, ruajtjes së integritetit territorial, veçanërisht me shtimin e trupave të saj në kuadër të KFOR-it pas sulmit në Banjskë. Theksova se jemi të përkushtuar në ruajtjen e stabilitetit dhe përmbushjen e synimit tonë si shtet për anëtarësim në NATO dhe BE”, ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.
Emisari Stuart Peach ka takuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha dhe zëvendësdrejtorin për rajonin e veriut, Veton Elshani. Në këto takime, nga Ambasada e Britanisë në Kosovë thanë se kanë diskutuar për sigurinë në veri dhe se çfarë mund të ofrojë Mbretëria e Bashkuar.
Pas takimit me emisarin britanik, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se është shprehur gatishmëria e përkrahjes në ngritjen e kapaciteteve në disa fusha.
“Policia e Kosovës përkundër sfidave në detyrat e saj për të cilat biseduam me Lord Peach, në çdo kohë është në dispozicion dhe adresë e të gjitha komuniteteve në mbarë vendin, veçanërisht atyre që jetojnë në veriun e vendit tonë. Në këtë drejtim, Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë e plotë për mbështetje në ngritjen e kapaciteteve në luftimin e krimit të organizuar, migrimit të paligjshëm dhe zhvillimit të policimit në komunitet në mënyrë që të jemi sa më afër dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar ministri Sveçla në rrjetet sociale.
Pos me emisarin e Britanisë së Madhe, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ka qenë temë diskutimi edhe në takimin që një ditë më parë udhëheqësit e shtetit zhvilluan me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.