Një prej përfundimeve që ka nxjerrë ekzaminimi zviceran për rastin e Astrit Deharit, është se trupi i të ndjerit, që konsiderohet të jetë prova më e rëndësishme, është përdorur më së paku.
Sipas Institutit të Lozanës e vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do të ishte të riekzaminohej trupi pas një zhvarrosjeje. Megjithatë, në konkluzion nuk rekomandohet një gjë e tillë, marrë parasysh kohën e kaluar që nga vdekja e Deharit.
Sipas avokatit dhe familjes Dehari, ekspertiza plotësuese vërteton se provat e dërguara kanë qenë të manipuluara dhe të dëmtuara.
“Në këtë ekspertizë shtesë vërtetojmë se të gjitha këto prova që i ka dërguar prokurori i çështjes apo kushdo që i ka dërguar në Institutin Zviceran kanë qenë të manipuluara dhe faktikisht nuk janë ruajtur dhe këta nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë të tjera”, ka thënë Tomë Gashi, avokat i familjes.
“Kanë ardhur të kërkojnë fakte e argumente plotësuese që ta zbardhin si duhet. Të gjitha provat e fotografitë që i kanë dërguar, kanë qenë të dëmtuara. Tani në këtë ekspertizë që kanë dërguar konkludojnë se asnjë provë nuk ka mbetur pa u dëmtuar, pra të gjitha janë të papërdorshme”, ka shtuar babai i Astrit Deharit, Avni Dehari.
Prokuroria ka mohuar se ka manipuluar provat dhe pas reagimeve të shumta ka publikuar 5 konkluzionet e raportit.
“Prokuroria Speciale siguron opinionin se në asnjë mënyrë nuk ka manipuluar me prova, por vetëm se ka prezantuar mendimin dhe konstatimin e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicër. Andaj, pretendimet tendencioze dhe dashakeqe të ministres së Drejtësisë karshi Prokurorisë Speciale janë të paqëndrueshme, si dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.
Paraprakisht në një komunikatë për media Ministria e Drejtësisë ka akuzuar Prokurorinë për propagandë e manipulim me këtë rast.
“Pas më shumë se 5 vjetësh, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht joprofesionale dhe qëllim dashakeq”, ka reaguar Ministria e Drejtësisë.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i është referuar Prokurorisë si tendencioze dhe qëllimkeqe.
“Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikonte vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e japë të vërtetën e plotë. Kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës”, pohoi Sveçla.
Ndaj Prokurorisë ka reaguar edhe Vetëvendosja, e cila ka thënë se komunikatat, ku prej pesë pikave publikohen dy e mbulohen tri, nuk janë punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë
“Ashtu siç nxituan atëherë për ta shpallur vetëvrasje, ashtu po nxitojnë dhe sot, për komunikata me informacione selektive. Asnjë komunikatë e asnjë reagim i atyre që e kishin dhe e kanë detyrë ligjore zbardhjen e rastit, nxjerrjen para përgjegjësisë e mundësimit të drejtësisë së plotë për Astritin, nuk mund të shfajësojë as zinxhirin institucional të kohës, e as përgjegjësinë institucionale të prokurorisë së sotme”, thuhet nw reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Reagimet e ministrive, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka cilësuar si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
“Në një shtet siç është Kosova, ku bëhet ndarja strikte e pushteteve, në çdo moment kur ministri i Drejtësisë, ministri i Punëve të Brendshme, flasin për një rast që është në procedurë, dhe flasin edhe për një person për të cilin ne e dimë që ka qenë i afërt, qoftë me ministren Haxhiu, qoftë me ministrin Sveçla, po ashtu hyn në kuadër të asaj që është joetike dhe jo e shëndetshme për demokracinë e vendit”, është shprehur Miftaraj.
Një prej konkluzioneve të tjera që ka nxjerrë Instituti zviceran është ai se ka gjetur vetëm ADN të Deharit në objektet që ishin në kontakt me të.
Astrit Dehari është gjetur i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.