LAJMET E MBRËMJES

Eksperimenti i Ramës bllokoi kryeqytetin

Testimi i radhës së qarkores njëkahëshe brenda qendrës ka prodhuar kaos në trafikun e kryeqytetit. Një taksist prishtinas tha se kurrë në jetën e tij nuk ka parë kaos më të madh, e një qytetar theksoi se kolonat e gjata që u krijuan rrisin motivin për të ikur nga vendi. Kryetari Përparim Rama tha se e kupton plotësisht frustrimin e shumë qytetarëve. Megjithëkëtë, eksperimentin do ta kryejë edhe këtë vikend

Duke u rënë borive qytetarët kanë shprehur mllefin për kaosin dhe kolonat e gjata të krijuara gjatë gjithë së premtes në rrugët e kryeqytetit, shkaku i testimit që Komuna e Prishtinës ia ka bërë qarkores njëkahëshe brenda qendrës.

Policët dolën që nga mëngjesi për të bllokuar lëvizjen në dy drejtime në rrugët: “Luan Haradinaj”, “Agim Ramadani”, “Migjeni”, “Robert Doll” dhe “UÇK”, derisa veturat u ndaluan tërësisht në rrugët “George Bush” dhe “Garibaldi”.

Eksperimenti i Komunës së Prishtinës bllokoi trafikun dhe krijoi kaos e kolona të gjata.

Një qytetar i nevrikosur tha se testi i qarkullimit njëkahor ia rrit motivin për të ikur nga vendi.

“Të bën të çmendesh. Ta lëshosh Kosovën. Do ta lëmë të gjithë”, ka thënë një qytetar i moshës së mesme në mëngjesin e së premtes, i cili u kurthua në kolonë për më shumë se një orë. “Nëse ky vazhdon kështu, veç të vdesim. Po ku t’i marrim paratë t’i mbushim veturat me naftë. Le të shkojë ne Angli, le të shkojë”.

Taksistët thanë se u dëmtuan nga testi i planifikuar, meqë mbetën pa udhëtarë.

Taksisti Blerim Berisha është nga Prishtina. Ai ka 52 vjet dhe tha se kurrë në jetën e tij nuk ka parë kaos më të madh trafiku në kryeqytet sesa të premten.

“Kësi kaosi nuk kam parë kurrë në Prishtinë. Kush e ka menduar, e ka menduar gabim se nuk ka rrugë Prishtina për këtë veprim se ka shumë banorë, shumë qarkullim”, ka thënë ai. “Sot përgjysmë më pak kam punuar, edhe udhëtarët janë të pakënaqur”.

Autoritetet komunale thanë se qëllimi i eksperimentit për qarkoren njëkahore është krijimi i korsisë për autobusë. Por, autobusët mbetën të zbraztë pasi edhe linjat e tyre ndryshuan dhe ata u bënë pjesë e kolonave pa udhëtarë.

Kryetari Përparim Rama ka thënë se e kupton plotësisht frustrimin e shumë qytetarëve rreth këtij testimi.

“Unë dhe stafi përgjegjës i Komunës së Prishtinës bashkëndiejmë me ju. Pavarësisht këtij frustrimi të shprehur, ju falënderoj përzemërsisht për durimin që treguat sot”, ka thënë ai. “Gjatë gjithë ditës së sotme ne kemi bërë identifikimin e fyteve të ngushtë dhe njëkohësisht kemi pranuar mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare për komunikacionin e ngarkuar të kryeqytetit tonë”.

E, gjatë ditës, ai tha se ndalimi për qarkullim i rrugëve është vetëm një test, në kuadër të eksperimentit për mënyrën se si do të mund të funksiononte trafiku njëkahor në qendër.

“Kemi bërë edhe teste të mëparshme gjatë vikendit për të testuar qendrën, për t’i testuar propozimet të cilat kanë ardhur për shkak të testimeve për mobilitet. Domethënë, si pjesë e planeve që i kemi të mobilitetit, ku e kemi bërë testimin të shtunën e të dielën që faktikisht e kemi bërë dy javë”, ka thënë Rama në një konferencë për media. “Por, normalisht që para se të marrim vendim duhet ta bëjmë testimin edhe gjatë javës”.

Shumë aktivistë kanë kritikuar eksperimentin e realizuar të premten.

Të tilla ka dhënë edhe opozita.

Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se testi i Ramës është tallje me qytetarët.

“Kjo është qeverisja LDK-PDK në Prishtinë, ky është vizioni i Përparim Ramës për Prishtinën. Si komunikacioni sot, janë edhe të gjitha punët e tjera në kryeqytet”, ka shkruar Sveçla në Facebook. “Disa po i shihni tani e disa do të shpërfaqen më vonë”.

Testimi i qarkores do të vazhdojë edhe të shtunën dhe të dielën e më pas task-forca e përbërë nga Komuna dhe policia do të dalë me konkludime rreth zgjidhjes që duhet dhënë trafikut në qendër.