LAJMET E MBRËMJES

Edmond Lajçi dënohet me burgim të përjetshëm, familjarët e viktimës mirëpritën vendimin

Me burgim të përjetshëm është dënuar Edmond Lajçi, pasi u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella. Sipas aktakuzës, vrasja është kryer me dashje brenda banesës ku jetonte çifti. Vendimi i gjykatës është mirëpritur nga familjarët e viktimës.

Ka marrë epilog në shkallë të parë procesi gjyqësor për Edmond Lajçin, i akuzuar për vrasjen në prill të gruas së tij Gjyljeta Ukella.

Ndonëse i akuzuari Lajçi nuk ishte prezent në sallën e Gjykatës Themelore në Pejë, trupi gjykues e shpalli Lajçin fajtor për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.

“I akuzuari Edmond Lajçi, me të dhëna personale si në shkresa të nënës, është fajtor për shkak se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga nenin 173. Andaj gjykata, duke u bazuar në nenet 7, 70, 21, 38, 40, 41, 69, 70, 76, të akuzuarin Edmond Lajçi e gjykon për veprën penale nga pika 1 e dispozitivit të aktgjykimit me dënim burg të përjetshëm, i cili do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, tha kryetari i trupit gjykues, Musë Povata.

Gjykata vendosi t’ia konfiskonte armën me të cilën ishte kryer krimi dhe ta mbante në paraburgim Lajçin derisa vendimi të merrte formë të prerë.

“Të akuzuarit i konfiskohet mjeti i kryerjes së veprës penale, pistoleta me shënime si në shkresë të lëndës, një karakter dhe pesë fishekë të kalibrit nëntë milimetra. Të akuzuarit me vendim të posaçëm i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi”, tha Povata.

Vendimin e gjykatës për dënim me burgim të përjetshëm e mirëpritën familjarët e viktimës.

“Neve si familje na e lehtësoi sadopak dhimbjen. E dënoi me burgim të përjetshëm, që jemi shumë të lumtur. E falënderojmë shumë gjykatësin, e falënderojmë prokurorinë, policinë e shtetit për punën e bërë deri më tani”, u shpreh Shpat Ukella, vëllai i viktimës.

Pas shpalljes së aktgjykimit KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga Zana Krasniqi, e cila është avokate e të akuzuarit Lajçi, për të mësuar nëse vendimi do të apelohet, por ajo nuk ka qenë e qasshme.

E vëllai i së ndjerës Ukella shprehu shpresën se shkalla e dytë nuk do ta kthejë rastin në rigjykim.

“Unë shumë besoj që për vrasjen e motrës sime të pafajshme në momentin që ajo ka qenë duke pirë kafe dhe pa vetëmbrojtje, unë besoj se edhe Gjykata e Apelit dhe gjykatat e tjera kanë me pasë konsideratë dhe nuk kanë me bo lëshime në këtë rast, në asnjë mënyrë dhe kam shumë besim të madh në këto gjykata”, deklaroi Shpat Ukella.

Më 19 nëntor Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Lajçit, për vrasje të bashkëshortes së tij më 16 prill.

Sipas aktakuzës, këtë ditë rreth orës 08:00, në banesën e tij në Pejë, i pandehuri me dashje ka vrarë me pistoletë Gjyljeta Ukellën. Në këtë dokument tregohet se paraprakisht viktima i ishte nënshtruar edhe dhunës psikike.