LAJMET E MBRËMJES

Dy zyrtarë e një biznesmen arrestohen nën dyshimin për abuzim me rezervën shtetërore

Njësia e Veçantë e Hetimeve, në koordinim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime gjatë blerjeve të rezervave shtetërore. Nga të arrestuarit, dy janë zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e një është biznesmen, i përfolur në publik për afërsi me Vetëvendosjen.

Në mëngjesin e së premtes, hetues të Njësisë së veçantë të hetimeve, të asistuar nga njësi të tjera të Policisë e në koordinim me Prokurorinë Speciale, kryen bastisje e arrestime në lokacione të ndryshme për aferën furnizimit me vaj e miell për rezerva shtetërore.

Autoritetet dyshojnë se në kundërshtim me procedurat ligjore, sasi e madhe e miellit dhe vajit është paguar, pa u pranuar produktet. Pagesat e këtilla janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Ekipe të ndryshme të policisë u shpërndanë në lokacione të ndryshme në Prishtinë.

Aksioni filloi në orën 6 të mëngjesit.

Siç ka mësuar KOHA, fillimisht janë bastisur vendbanimet e drejtorit të Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, e vendbanimi i drejtorit të Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në MINT, Irfan Lipovica.

Pasi u janë bastisur shtëpitë, Gara e Lipovica me vetura të Policisë janë përcjellë në zyrat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku ka vazhduar edhe për rreth 2 orë batisja. Nga aty me pranga në duar si të arrestuar për korrupsion kanë dalë këta dy zyrtarë. Një pjesë e policëve kanë vazhduar qëndrimin në MINT, e më vonë kanë dalë me shumë dokumente të sekuestruara.

Në të njëjtën kohë, aksioni po zhvillohej edhe në banesën e biznesmenit Ridvan Muharremi. Ai është përfolur në publik për lidhje të forta me vetëvendosjen, përfshirë edhe afërsinë me kryeministrin Albin Kurti. Një numër takimesh me delegacione ndërkombëtare, Qeveria i ka realizuar në restorantin e tij, me emër “Bukë e Zemër”.

Ky lokacion ishte adresa e fundit e hetuesisë për bastisje. Aty forca të shumta të Policisë së Kosovës qëndruan për rreth një orë.

Biznesmeni Ridvan Muharremi u nxor me pranga në duar.

Avokati i tij Mahmut Halimi, iu shmang pyetjeve konkrete të gazetarëve për dyshimet që rëndojnë mbi klientin e tij.

“Ende nuk kemi as dyshime, me siguri se fjala është për lajmet e publikuara rreth importit të sasisë së grurit dhe vajit. Për këtë do të japim sqarime atje. Provat janë, kështu që gjithçka do të sqarohet”, tha Halimi.

Prokuroria e Shtetit përmes një komunikate për media, ka konfirmuar arrestimet dhe ka thënë se që të tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Sipas saj, të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Media online Nacionale, ka raportuar që Muharremi ka qenë ndërmjetës në blerjen e vajit dhe miellit për rezervat shtetërore. Sipas, këtyre raportimeve, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka bërë presion te zyrtarët që të paguajnë paratë edhe pa u pranuar malli.

Prej kur ka filluar diskutimi për këtë çështje, as ministrja Hajdari e as Qeveria e Kosovës nuk e kanë dhënë sqarime, duke u thirrur në konfidencialitet të procedurës nëpërmjet së cilës janë kontraktuar blerjet.