LAJMET E MBRËMJES

Dy vjet nga aplikimi i Kosovës, BE-ja thotë se po bëhen diskutime në mesin e shteteve anëtare

Që nga dhjetori i 2022-tës, kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian ka mbetur pa u shqyrtuar. Në dyvjetorin e dorëzimit të aplikacionit, në BE thonë se pengesë mbesin pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. E ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, thotë se nuk do të ketë shqyrtim të kërkesës përderisa nuk zbatohet marrëveshja e Ohrit.

Janë bërë dy vjet qëkur Kosova ka dorëzuar kërkesën e saj për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Që atëherë avancim në këtë proces nuk ka pasur.

Sipas një zyrtari të Bashkimit Evropian kërkesa është duke u rishikuar në Këshill Evropian dhe se janë duke u zhvilluar diskutime në mesin e shteteve anëtare.

Ndonëse nga ky institucion proklamohet zgjerimi, nuk përmendet një datë se kur Këshilli do ta ftojë Komisionin Evropian ta rishikojë aplikimin, teksa theksohet se pengesë mbesin pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Diskutimet midis shteteve anëtare janë duke vazhduar dhe në këtë fazë nuk është e mundur të parashikohet rezultati. Megjithatë, presidenti Costa e ka përsëritur në shumë raste se zgjerimi mbetet një prioritet gjeostrategjik për BE-në, siç përmendet edhe në Agjendën Strategjike 2024-2029. Dhe Presidenca e ardhshme polake ka deklaruar në programin e saj se do të punojë për të ‘përparuar në procesin e zgjerimit, si në drejtimin lindor ashtu edhe në lidhje me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me përfshirjen e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në BE, me qasjen e bazuar në merita. Prandaj, puna do të vazhdojë vitin e ardhshëm për të avancuar në procesin e zgjerimit”, thuhet nga BE-ja.

E ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, thotë se nuk do të ketë shqyrtim të kërkesës përderisa nuk zbatohet aneksi i Ohrit, që parasheh normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë mendoj se disa anëtarë të BE-së nuk janë plotësisht të bindur se për momentin është i përshtatshëm. Këtu mendoj se i kthehemi vetë çështjes së zbatimit të aneksi të Ohrit apo marrëveshjes së 27 shkurtit për t’i bindur të gjitha vendet anëtare se është momenti i duhur. Ne mbështesim që Kosova përfundimisht të bëhet anëtare e BE-së, sikurse edhe vendet e tjera të rajonit. Ne e shohim qartë rrugën drejt integrimeve evropiane, dëshirojmë që të plotësohen disa kushte, një nga kushtet më të rëndësishme është ky kusht politik që Kosova të jetë plotësisht e angazhuar në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut”, u shpreh ai.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë se pritet lëvizje nga udhëheqësia e re e BE-së në këtë drejtim.

Dorëzimi i aplikimit nga kryeministri Kurti i është bërë Çekisë, shtetit që në atë kohë ka kryesuar Presidencën e BE-së.