Dy taborët politikë në Kuvend kanë fajësuar njëri-tjetrin për bllokim të konstituimit të legjislaturës së re. Përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së bënë me gisht kah partia që fitoi më së shumti vota në zgjedhje. Por, ata të Vetëvendosjes e thanë të kundërtën dhe dhanë dy alternativa për rrugën që shpie para.
Dy taborët politikë, Lëvizja Vetëvendosje në njërën anë dhe grupi i partive të tjera: PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, kanë akuzuar njëra-tjetrën për ndërprerjen e sërishme të seancës konstituive të Kuvendit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duke mos e vënë në votim raportin për verifikim të mandateve, i cili nuk u miratua dy ditë më parë, është tregues se partia e parë sipas rezultatit zgjedhor, nuk i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe për votimin e Qeverisë.
“Këta jo që s’kanë shumicë, por nuk janë as afër shumicës dhe unë i ftoj që të mos e mbajnë peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Të mos e mbajnë peng themelimin e institucioneve të vendit, të mos i mbajnë peng afatet kushtetuese po le të vijnë në seancë dhe le të votojnë”, deklaroi Krasniqi.
E, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se në seancën e së enjten është bërë e qartë se Vetëvendosja është bllokuesja e vërtetë e konstituimit të legjislaturës së re. Edhe Abdixhiku tha se kryesuesi është dashur që raportin për verifikimin e mandatave ta hidhte sërish në votim.
“Kjo e drejtë iu mohua sot 100 deputetëve prezentë në sallë. Kishte kushte për votim, do të duhej të votohej dhe më pas vendimi final do të merrej nga votat e deputetëve të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Qëndrim të njëjtë shprehu edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
“Z. Kurti po do me ble kohë për shkak se nuk i ka votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit, nuk i ka votat për formimin e qeverisë, nuk e ka shumicën e thjeshtë dhe për këtë arsye po mundohet ta bëjë zvarritjen e seancës”, tha ajo.
E, përfaqësues të Vetëvendosjes insistuan se proceduralisht raporti i njëjtë nuk mund të vihet në votim dhe se zgjidhja duhet të burojë nga konsultimi ndërmjet subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend.
“Ne ishim kuorum, 109 deputetë kanë qenë në seancë, dokumenti është rrëzu. Nëse opozita nuk dëshiron që të diskutojë fare as se çfarë të diskutojë me atë raport, dokument, po mbesim kështu ose po drejtohemi siç e përmenda ma herët në zgjedhje të reja”, u shpreh deputetja e zgjedhur Mimoza Kusari-Lila.
Ndërkaq, ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, tha se ka dy opsione për zgjidhje.
“Mundet sërish ose të krijohet, themelohet një komision i ri për verifikim të mandatave dhe ta shqyrtoj raportin e KQZ-së dhe t’i rekomandoj seancës për votim ose komisioni që e ka kry këtë punë në seancën e 15 prillit ta bëjë punën e njëjtë”, tha Haxhiu.
Raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve është kundërshtuar me votë të martën nga deputetët e PDK-së, LDK-së, e AAK-së, pasi vlerësuan se nuk mund t’u pranohen mandatet e deputetit, kryeministrit në detyrë dhe ministrave, pa dhënë paraprakisht dorëheqje.