LAJMET E MBRËMJES

Dy persona të plagosur gjatë grabitjes së furgonit me para në “Veternik”

Në një grabitje të armatosur të hënën në “Veternik” të Prishtinës, mbetën të plagosur dy persona. Sipas Policisë, grabitja është kryer ndaj një furgoni që po transportonte para. Në QKUK po trajtohen dy të plagosur. Sipas burimeve, njëri është pjesë e kompanisë që po transportonte paratë e tjetri dyshohet se është grabitës

Dy persona mbetën të plagosur të hënën, si pasojë e një grabitjeje të armatosur në parkingun e një qendre tregtare në “Veternik” të Prishtinës.

Sipas burimeve, i plagosuri i parë i dërguar për trajtim në QKUK është pjesëtar i sigurimit të kompanisë që po e bënte bartjen e parave, ndërsa i plagosuri tjetër dyshohet të jetë një prej grabitësve.

Në polici, pak pas ngjarjes, konfirmuan plagosjen e njërit të përfshirë në ngjarje. 

“Sot rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen “Veternik” në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë janë duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, është thënë në njoftimin e Policisë.

E Agron Çitaku, mjek kujdestar në Emergjencën e QKUK-së, tha se i plagosuri i dytë është pranuar rreth orës 12:00, një orë e gjysmë pas ngjarjes.

Sipas Çitakut, gjendja shëndetësore e të plagosurve është e rëndë. 

“Ora 11:00 ka ardhur një pacient, i plagosur me armë zjarri, i cili është trajtuar pas reanimimit. Është në sallë operative, është operu dhe gjendet në kujdes intensiv. Po edhe kah ora 12:00 e kemi pasur edhe një tjetër, i cili gjithashtu është i reanimuar dhe është në sallë operative. Edhe personi i dytë ka qenë i plagosur me armë zjarri. Personi i parë është i plagosur në abdomen, i dyti edhe në këmbë, po është stabilizuar, se gjendja e rëndë. Të plagosur me armë zjarri normal”, ka bërë të ditur Çitaku.

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës thanë se ende nuk ka të arrestuar për rastin.

“Deri më tani nuk ka të ndaluar asnjë person, ndërkohë hetuesit policorë në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë janë duke ndërmarrë masa të nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit në fjalë”, ka njoftuar Prokuroria.
Ndërkohë në fshatin Hajvali të Prishtinë, në mesditë u gjet një veturë e djegur. Sipas burimeve nga Prokuroria, ajo u dogj nga persona të dyshuar për grabitjen në “Veternik”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në mbrëmjen e së hënës ka njoftuar se një person është arrestuar për grabitjen. Sipas komunikatës, ai po dyshohet për veprat penale “grabitje” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria ka njoftuar se hetuesit policorë po vazhdojnë ndjekjen e personave që ndodhen në arrati.