Dy njësi të Policisë së Kosovës kanë filluar protestën në vend të punës, pasi, siç pretendojnë, ka gabime në përcaktimin e koeficientit të pagës së tyre. Mjeshtrit e veturave të policisë dhe ata për punët brenda objekteve protestuan, me arsyetimin se nuk po vlerësohen në bazë të kualifikimeve që kanë
Ka gati një javë prej kur punëtorët e Flotës Operative, që merren me rregullimin e veturave të policisë, janë duke protestuar në vendin e tyre të punës shkaku i pakënaqësisë me mënyrën e kategorizimit në Ligjin e Pagave.
E të martën, kësaj proteste i janë bashkuar dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ në Policinë e Kosovës, me kërkesën që të dy kategorive t’u bëhet rregullimi i vlerës së koeficienteve, bazuar në pozita.
Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë, thotë se përderisa punonjës të Flotës Operative protestën mund ta vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, ata të sektorit mbështetës do t’i japin shans Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe këtë javë për zgjidhjen e çështjes.
“Nuk ka shkuar mirë në këtë aspektin që Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka pasur ndonjë reflektim edhe pse unë kam bërë kërkesë që të pajtohem me ministrin e Punëve të Brendshme në zyrë ose në vendin e tij të punës. Këtë kërkesë e kam bërë dje, saktë diku në ora 11 e kam dërguar te ministri”, ka deklaruar ai.
Zeqiri thotë se punëtorët shprehin pakënaqësi, ngase nuk ekziston një kategorizim përbrenda profileve të punës.
“Me Ligjin e pagave kanë mbetur me koeficientin 3.86 e që ky koeficient vlen edhe për punëtorët e mirëmbajtjes, pra, për pastruesit, ndërsa të gjithë këta punëtorë janë profesionist të fushës së tyre. Pra, janë automekanikë, autoelektricistë dhe të gjitha profesionet që duhet për të bërë riparimin e automjeteve, kurse pjesa tjetër e mirëmbajtjes së objektit janë edhe elektricistë edhe ...unë e kam edhe listën: metalpunues, instalues uji, specialistë të nxehjes qendrore etj”, ka theksuar ai.
Ai theksoi që ka indikacione se protestës do t’i bashkohen edhe njësi të tjera të administratës, e po qe se kërkesat nuk përmbushen, edhe stafi i uniformuar.
Menaxhmenti i Policisë së Kosovës nuk ka treguar nëse këto kërkesa i kanë adresuar edhe në nivel tjetër, e Ministria e Punëve të Brendshme deri tash i ka injoruar kërkesat e kamotshme të kësaj sindikate.
Policia numëron një staf prej afër 10 mijë personash. Koeficientin më të lartë përbrenda saj e ka drejtori i përgjithshëm (14.5), kurse më të ulëtin, atë 2 e kanë kadetët policorë. Që prej draftit të parë të Ligjit të ri të pagave, zyrtarët policorë kanë shprehur pakënaqësi me ligjin.