LAJMET E MBRËMJES

Dy ish-policëve serbë u lexohet aktakuza që i bën përgjegjës për vrasje e maltretime

Në seancën e shqyrtimit fillestar, që u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Florije Salihu-Shamolli ka thënë se ata kanë vrarë e keqtrajtuar civilë, si dhe kanë djegur shtëpi. Sipas saj, Kostiqi është përgjegjës për vrasje në bashkëkryerje të të paktën 11 civilëve shqiptarë. E i akuzuari tjetër Dragan Miloviq, sipas prokurores, ka marrë pjesë në dëbimin e 20 mijë shqiptarëve të Vushtrrisë

Dy ish-policëve të Serbisë, Dragan Miloviqit dhe Zoran Kostiqit, u është lexuar të martën aktakuza, që i bën përgjegjës për krime lufte në Komunën e Vushtrrisë, të kryera 25 vjet më parë.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, që u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë,  prokurorja Florije Salihu-Shamolli ka thënë se ata kanë vrarë e keqtrajtuar civilë, si dhe kanë djegur shtëpi.

Sipas saj, Kostiqi është përgjegjës për vrasje në bashkëkryerje të të paktën 11 civilëve shqiptarë.

“Ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, ka djegur shtëpi dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik... Dhe me qëllim që t’i zhdukë provat dhe për t’u zbatuar plani në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani”, ka thënë Salihu-Shamolli.

E i akuzuari tjetër Dragan Miloviq, sipas prokurores, ka marrë pjesë në dëbimin e 20 mijë shqiptarëve të Vushtrrisë, e edhe në rrahje të disa civilëve.

“Dhe aty i akuzuari i ka maltretuar, rrahur, torturuar civilë të cilët gjendeshin të grumbulluar në varrezat e qytetit. Në mesin e kësaj popullate civile ishte edhe Kadri Shaqiri, i cili e njihte të akuzuarin Dragan dhe e lutë të akuzuarin të shpëtoj, por i njëjti thotë ‘s’kam çka me të ba’”, ka theksuar prokurorja.

Të dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Që nga 20 shtatori i vitit të shkuar, ndodhen në paraburgim ish-policët e Serbisë, Miloviq dhe Kostiq.

Ata akuzohen për krime lufte të kryera gjatë prillit dhe majit të vitit 1999, e që prokuroria synon t’i vërtetojë edhe nëpërmjet 14 dëshmitarëve që i ka propozuar.