LAJMET E MBRËMJES

Dy ikje nga burgjet brenda një jave

Edhe një person tjetër është arratisur nga burgu i Dubravës mbrëmjen e së premtes, një javë pasi një i burgosur tjetër ka ikur nga burgu i Smrekonicës, për të nëntën herë. Në Ministri të Punëve të Brendshme e në Polici nuk ofruan kurrfarë informacioni mbi veprimet që janë duke i bërë për kapjen e tyre. E zyrtarë të Shërbimit Korrektues dhe të Ministrisë së Drejtësisë, në një konferencë për media, thanë se të dy e patën mundësinë e largimit meqë burgjet ku kanë qenë, nuk e kanë nivelin e lartë të sigurisë

Të premten në mbrëmje Ujkan Metaj, i dënuar me 11 vjet burgim, ka ikur nga Qendra Korrektuese e Dubravës, duke u bërë personi i dytë që arratiset nga burgjet brenda shtatë ditëve. Një javë më parë nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës iku për të nëntën herë me radhë Faton Hajrizi, i dënuar me 25 vjet burgim. 

Prej vitit 2007 e deri më tash nga Institucionet Korrektuese të Kosovës janë arratisur e larguar 56 persona. Nga një pavijon i burgut të Dubravës, në të njëjtën ditë, në gusht të 2007-s kishin ikur shtatë persona. Prej 2010-s e deri më tash 27 persona janë larguar prej burgjeve përmes të drejtës së tyre për ta shfrytëzuar vikendin në shtëpi. E 22 të tjerë janë arratisur e larguar në forma të ndryshme nga burgjet, spitalet, gjykatat a vizitat e jashtëzakonshme. 

Të shtunën në një konferencë për media, zyrtarë të Shërbimit Korrektues dhe ata të Ministrisë së Drejtësisë, thanë se dy të arratisurit u larguan nga qendrat korrektuese të tipit të hapur, të cilat sipas tyre nuk i nënshtrohen kontrollit dhe masave të larta të sigurisë. 

Sipas tyre Metaj e Hajrizi janë larguar e jo arratisur. Këtë e arsyetuan duke shpjeguar se në Kosovë janë dy tipa të institucioneve korrektuese, ato të tipit të mbyllur, në të cilat hyjnë burgjet e sigurisë së lartë, dhe ato të tipit të hapur ku të burgosurit gëzojnë të drejta të shumta dhe konsiderohen se janë të gatshëm për riintegrim dhe risocializim në shoqëri. Kësisoj thanë se largimi nga institucioni i mbyllur, konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, theksoi se nëse Metaj e Hajrizi kapen nga Policia, do t’i humbin privilegjet e tyre të fituara.

“Me kapjen e tyre nga institucionet e sigurisë, të njëjtit i humbin të gjitha privilegjet që i kanë pasur deri më tani dhe rikthehet në qendrat korrektuese të tipit të mbyllur. Po ashtu, ndaj të njëjtëve, bazuar në legjislacionin në fuqi iniciohet procedurë penale”, ka thënë Sallahu.

E drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani, ka theksuar se lehtësirat që krijohen në burgjet e tipit të hapur të rregulluara me standarde evropiane, ndikojnë në largim të të burgosurve. Ai përmendi masa disiplinore ndaj zyrtarëve në qendrat korrektuese prej nga kanë ikur Metaj e Hajrizi.

“Ne kemi filluar procedurën disiplinore ndaj disa zyrtarëve në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Po ashtu jemi në pritje të raportit të Inspektoratit”, u shpreh Dibrani.

I arratisuri nga burgu një javë më parë, Faton Hajrizi, pothuajse çdo ditë kyçet “live” në rrjete sociale dhe tallet me institucionet e Kosovës. Përmes një videoje ai iu kundërpërgjigj ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, i cili tha se arrestimi i Hajrizit është çështje orësh.

“E pyes Sveçlën, a ke punu në furrë a si është puna, se i kishe do orë të furrxhisë?! Nuk mundesh me më kap ti mua. Kurrë s’mundesh me më kap, o ministër i punëve të kota. Ata të cilët më kishin kapë, edhe me marrëveshje, janë në Hagë atje, që ia u kisha ngu hatrin”, është shprehur Hajrizi.

Sallahu e Dibrani nuk dhanë përgjigje nëse ekzistojnë mundësitë që vendndodhja e Hajrizit të identifikohet përmes këtyre paraqitjeve “live”.

“Edhe në shtetet më të zhvilluara të Evropës, edhe nga burgjet kyçen live”, tha Dibrani.

E zëvendësministri theksoi se kapja e tyre është punë e MPB-së.

“Nuk është kompetente Ministria e Drejtësisë lidhur me pyetjen që e shtrove ti. Kjo është kompetencë ekskluzive kushtetuese dhe ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, theksoi Sallahu.

E për atë që kanë në kompetencë, nuk u përgjigjën në Ministrinë e Punëve të Brendshme e as në Policinë e Kosovës.

Së fundmi, edhe dy të dënuar janë vënë në kërkim, meqë s’iu janë bindur thirrjes së gjykatës për vuajtje të dënimit: Enver Sekiraqa i dënuar me 25 vjet burgim për nxitje të vrasjes, si dhe Marko Roshiq, i dënuar me 10 vjet burg për pjesëmarrje në vrasje. Për këto dy raste dhe arratisjen e Hajrizit të enjten partitë opozitare iniciuan një kërkesë për debat parlamentar, por që nuk u miratua nga pushteti. 

Në Policinë e Kosovës e as në konferencën për media të SHKK-së, nuk u dhanë informacione se sa nga të arratisurit prej 2007-s kanë arritur të kapen nga Policia.