LAJMET E MBRËMJES

Dy deputetë largohen nga LVV-ja, formojnë koalicion me PD-në e AKR-në

Deputetët Eman Rrahmani e Visar Korenica janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje për t’iu bashkuar koalicionit “Lista për Familjen”. Ata thanë se iniciativa për largim nga LVV-ja dhe formimi i koalicionit i ka pasuar përpjekjet e Qeverisë për ta miratuar Projektkodin Civil. Pas kësaj, dy ish-deputetët do të garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit, në koalicion me AKR-në dhe me Partinë e Drejtësisë

Dy deputetë të pakënaqur me Lëvizjen Vetëvendosje – Eman Rrahmani e Visar Korenica – janë larguar nga kjo parti për t’iu bashkuar koalicionit “Lista për Familjen”, që për kauzë thuhet se ka mbrojtjen e familjes.

Para Kuvendit, Rrahmani e Korenica, të martën e formalizuan bashkëpunimin me dy parti të tjera, AKR-në e Behgjet Pacollit dhe Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit.

Tek ka folur për çështjen, Rrahmani ka thënë se iniciativa me deputetin Korenica është nisur prej dy vjetësh, në shenjë pakënaqësie ndaj sponsorizimit nga Qeveria të Projektkodit Civil.

“Po bashkohemi në një koalicion për familjen. Projektkodi civil që, me disa dispozita të tij, cenon familjen tradicionale, Projektligji për shëndetin riproduktiv që tenton dhe legalizon fertilizimin dhe dhurim pa identitet të njohur që dërgon në incest dhe mos të flasim për cenimin e familjes. Lejimi i ndërrimit të gjinisë sipas ndjesisë në projektligjin për gjendjen civile, madje edhe te fëmijët dhe shumë aktivitete në Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit na kanë obliguar të bashkohemi dhe të mendojmë dhe të veprojmë rreth angazhimit politik për familjen”, ka thënë Rrahmani.

Largimi nga partia në prag të zgjedhjeve, sipas Rrahmanit, ka ndodhur pas disa tentimeve të pasuksesshme për t’i tejkaluar dallimet brenda LVV-së.

“Gjatë gjithë deklarimeve tona kemi thënë që deri në fund të mandatit do të vlerësojmë rreth angazhimit tonë. Gjatë kësaj periudhe jemi munduar që këtë çështje dhe këto probleme t’i zgjidhim brenda subjektit partiak. Nuk ka pasur vullnet, nuk ka pasur dëshirë që të tejkalohen këto dallime, dhe natyrisht që për ne mbi të gjitha është ruajtja e familjes”, ka deklaruar Rrahmani.

Ai ka thënë se programi i Listës do t’u prezantohet edhe deputetëve të tjerë që kanë bindje të njëjta, tek ka shtuar se në këtë bashkëpunim politik nuk do të mund të bëhen pjesë ata që për qëllim kanë përfitimet. 

Me Rrahmanin e Korenicën numri i deputetëve që janë larguar nga Vetëvendosja, gjatë këtij mandati legjislativ, është rritur në pesë. Pa ta LVV-së do t’i mbesin 52 deputetë. Por, dy të fundit të larguar, thanë se nuk do ta bllokojnë punën e pushtetit.

“Vazhdimi ynë si deputetë do të jetë ashtu siç ka qenë. Do të mbështesim secilën iniciativë ligjore e cila vjen në Kuvend dhe që është e dobishme për vendin dhe do të kundërshtojmë secilën iniciativë apo çështje tjetër që është në dëm dhe kundër interesave të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Rrahmani.

Dallimet me grupin parlamentar Rrahmani e Korenica i kanë nisur prej kohësh për shkak të Projektkodit civil, Projektligjit për IVF-në e edhe atë për verëra. Asnjë prej tyre nuk e kanë mbështetur në formën siç janë përcjellë në Kuvend.