Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Hysen Durmishi, e pati nënshkruar kontratën në vlerë rreth 38 milionë euro, ani se ende ka pasur ankesë të patrajtuar në lidhje me këtë tender, në atë që bie në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i pati dhënë të drejtë Ministrisë së Infrastrukturës për nënshkrimin, ndonëse ka konstatuar shkeljen, porse ka theksuar që kontrata nuk mund të anulohej tashmë “për shkak të interesit publik”
Nënshkrimi i kontratës afro 40 milionë eurosh për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë pa përfillur procedurat ligjore është arsyeja që e ka nxitur Prokurorinë Speciale të nisë hetim penal lidhur me kontratën, nënshkrues i së cilës është zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Hysen Durmishi.
Fillimin e hetimeve dhe ftesën për të dhënë dëshmi e ka bërë publike të martën nëpërmjet një postimi në Facebook vetë zëvendësministri.
“Me gjasë dikujt po i pengon dinamika e punimeve në këtë projekt, sepse gjithçka po ecën sipas planit. Të ftosh zëvendësministrin për intervistim duke u bazuar në spekulimet e një operatori ekonomik, edhe pas vendimit të OSHP- së që na jep të drejtë neve si autoritet kontraktues, më duket sinqerisht e pakuptimtë. Ankesa e atij operatori ekonomik është shpallur e pabazuar edhe me vendim”, ka shkruar Durmishi në postim.
Zëvendësministri ka theksuar se në Prokurorinë Speciale do të paraqitet më 8 maj për të treguar se është i lumtur që e ka nënshkruar kontratën për rrugën Prishtinë-Podujevë. Durmishi ka theksuar po ashtu se Prokuroria e Shtetit nuk e ka intervistuar deri më tash për shumë raste të cilat i ka denoncuar ai vetë.
Durmishi ka nënshkruar kontratën në vlerë rreth 38 milionë euro, ani se ende ka pasur ankesë të patrajtuar në lidhje me këtë tender. Një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i pati dhënë të drejtë Ministrisë së Infrastrukturës për nënshkrimin, ani se ka konstatuar shkeljen, porse ka theksuar që kontrata nuk mund të anulohej tashmë “për shkak të interesit publik”.
Konsorciumi nga shoqëria civile, CORRWatch, e pati ngritur këtë çështje, duke alarmuar për shkeljet.
“MMPHI nënshkroi kontratat me operatorët ekonomikë fitues, përkundër faktit se ishin në dijeni se njëri nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës në këtë aktivitet kishte paraqitur ankesë pranë OSHP-së.
Ky veprim i MMPHI-së është në kundërshtim me nenin 112, pika 1 e LPP-së që përcakton që dorëzimi i ankesës obligon autoritetin kontraktues që automatikisht ta pezullojë aktivitetin e prokurimit. Edhe pse OSHP-ja e ka identifikuar këtë shkelje, e njëjta ka lënë në fuqi kontratën me arsyetimin se OSHP-ja duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik”, është theksuar në reagimin e konsorciumit.
Sipas CORRWATCH, Ministria nuk e ka respektuar rekomandimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për ndryshimin e kriterit kualifikues që ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
Për këtë tender kishte raportuar edhe KOHA. Sipas raportimit, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik kishte identifikuar shkelje të mëdha në këtë tender, por edhe në dy tenderë të tjerë të kësaj ministri.
Megjithëse ky institucion kishte bërë shkresë që ministria të merrte masa, ato nuk janë ndërmarrë.