LAJMET E MBRËMJES

Durmishi: Dyshohet se 666 kandidatë i morën me dallavere patentë shoferët në Pejë

Qindra qytetarë kanë kaluar me dallavere provimin praktik për patentë shofer, ka thënë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Ai ka theksuar se vetëm gjatë vitit 2023, 666 kandidatë që kanë dështuar disa herë në këtë provim kanë gjetur lidhje për ta kaluar atë në Pejë. Lëndët e tre ekzaminerëve që dyshohen për dallavere i janë dërguar Prokurorisë

Qendra për patentë shoferë në Pejë u ka shërbyer qindra qytetarëve të komunave të tjera që ta kalojnë testin praktik me dallavere, ka thënë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Në një konferencë për media të premten, ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2023, 666 kandidatë që kanë dështuar disa herë në këtë provim kanë gjetur lidhje për ta kaluar atë në Pejë. Ai ka bërë të ditur se lëndët e tre ekzaminerëve që dyshohen për dallavere i janë dërguar Prokurorisë Themelore në Pejë.

Durmishi ka treguar se në mesin e gjetjeve të evidentuara është rasti i keqpërdorimit të emrit dhe të nënshkrimit të një ekzamineri në pension, si dhe kalimi i provimeve të kandidatëve pa qenë ata fare në Kosovë.

“Ka raste kur kandidati i është nënshtruar provimit në pjesën teorike në vitin 2023 në Prishtinë dhe ndërsa i njëjti kandidat figuron se e ka kaluar provimin në vitin 2022 në Pejë. Ka shumë raste kur kandidatët i janë nënshtruar provimit në vitin 2022, ndërsa në certifikatat e Kryqit të Kuq janë pajisur në vitin 2023. Natyrisht se kjo është në kundërshtim me ligjin, sepse nuk mund të hysh në provim pa e pasur certifikatën e Kryqit të Kuq”, ka thënë Durmishi.

Zëvendësministri Durmishi ka thënë se një dosje dëshmon që një qytetar, i cili ka dështuar dhjetë herë në testin praktik në një komunë, me të parën e ka kaluar në Pejë. Ai ka prezantuar edhe rastin kur një ekzaminer është angazhuar vetëm dy javë në Pejë dhe brenda kësaj kohe i ka kaluar 200 kandidatë në pjesën praktike.

Durmishi ka theksuar se bëhet fjalë për ndërmarrje të gjerë kriminale dhe ka dhënë zotimin se, në rast se gjykata e vërteton këtë, patentë shoferët do të konfiskohen.

“Në qoftë se vërtetohen, ne do t’i anulojmë këto provime dhe do të konfiskohen ata patentë shoferë, sepse ato janë dhënë në mënyrë të kundërligjshme. Mandej është procedua tjetër se si do të pajisen ata në të ardhmen”, ka thënë Durmishi. “Kemi gjetur se është keqpërdorur emri dhe nënshkrimi i një ekzamineri që ka dalë në pension. Një pjesë e madhe e kandidatëve që e kanë kaluar provimin, nuk kanë qenë fare në Kosovë në atë kohë. Kemi një rast kur një ekzaminer është angazhuar vetëm dy javë në Pejë dhe brenda kësaj periudhe ky ekzaminer i ka kaluar 200 kandidatë në pjesën praktike. Kjo është dukshëm mbi mesatare dhe janë kryesisht kandidatë nga komuna të tjera”.