LAJMET E MBRËMJES

Arrestohet drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë-Kosovë

Maliq Berisha, drejtor për Shërbime Publike dhe Mjedis në Komunën e Fushë-Kosovës, është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kryer vepër penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar. Me urdhër të Prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Mjedisit në Komunën e Fushë-Kosovës, Maliq Berisha, është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kryer vepër penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Në Policinë e Kosovës nuk janë deklaruar lidhur me këtë rast. Ndërkohë, zyrtarët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, nëpërmjet një komunikate për media, kanë thënë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e M.B., drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë-Kosovës, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas KPRK-së.

“I dyshuari i lartcekur është ndaluar me urdhër të prokurorit në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprime të mëtejme ligjore, si dhe për këtë çështje penale do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore në koordinim me Policinë”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga zyrtarët komunalë, por nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen me arsyetimin se as ata nuk kanë më shumë informata lidhur me rastin. Këtë kanë thënë se do ta bëjnë të martën deri në orën 16:00.

Burimet e KOHËS kanë thënë se arrestimi i drejtorit Berisha dyshohet se ka ndodhur për shkak të investimit në një pronë private gjatë vitit të kaluar. Këtë vërejtje e kishte theksuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, ku gjatë realizimit të projektit për shtrimin e kubëzave në vlerë 81 mijë e 580 euro, kubëzat janë përdorur edhe për shtrimin e parkingut të një biznesi privat.

Në raportin e Auditorit, për të cilën gjë ka raportuar KOHA në muajin korrik, nuk specifikohej se në cilin biznes privat është bërë ky investim i Komunës. Auditori e ka konsideruar shkelje ligjore investimin e parasë publike në pronë private. Neni 17.1 i Ligjit për menaxhimin e financave publike, thekson se paratë publike përdoren vetëm për qëllime të miratuara publike dhe se asnjë autoritet publik, organizatë buxhetore, person apo ndërmarrje nuk mund të devijojnë, keqzbatojnë, ekspozojnë apo të përdorin në mënyrë të parregullt paratë publike.

Atëkohë, nisjen e hetimeve lidhur me këtë rast e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Në përgjigjen e muajit korrik të Zyrës për informim dhe marrëdhënie me publikun thuhej se Policia e Kosovës (drejtoria përkatëse) e posedon këtë informacion dhe është duke e trajtuar në aspektin policor.