Për situatën në veri, para deputetëve ka raportuar drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha. Në një pjesë fare të shkurtër të mbledhjes që ishte e hapur për media, ai foli për pajisjet e policisë dhe për besimin që, sipas tij, kanë serbët në këtë institucion, pasi tha se edhe gjatë kohës së protestave janë duke denoncuar raste.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, deklaroi para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes se institucioni që e drejton është mjaftueshëm i pajisur për ta përballuar situatën e sigurisë në veri.
“Sa u përket pajisjeve, ndoshta do të mund të flisja edhe për pjesën në jug, por unë ju garantoj se të gjithë policët tanë që janë atje janë të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për ta garantuar sigurinë e tyre”, tha Hoxha.
Gjatë pjesës së raportimit që ishte e hapur për mediat, Hoxha tha se, krahas aktivitetit të grupeve kriminale, pengesë kryesore për ta zbatuar ligjin në veri, në vitin 2022 ka përbërë dorëheqja e 572 policëve serbë.
Megjithëkëtë, ai theksoi se pavarësisht kësaj rrethane, banorët serbë po e kontaktojnë Policinë, për t’i denoncuar rastet.
“Edhe në bazë të statistikave që i kemi, dallimi në mes të rasteve të raportuara 2022 me 2023 është simbolik, të mos themi që kemi pasur më shumë në prill 2023 sesa në muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Edhe pse ka protesta edhe akte kriminale të dhunshme, prapëseprapë, qytetarët e nacionalitetit serb vijnë e raportojnë raste në Policinë e Kosovës dhe kërkojnë shërbime”, tha Hoxha.
Drejtori Hoxha tha se, pas dorëheqjes së policëve serbë, numër i madh të rinjsh të këtij komuniteti kanë aplikuar për ta veshur uniformën e Policisë së Kosovës dhe për të shërbyer në veri.