LAJMET E MBRËMJES

Drejtori i PISA-s: Nxënësit në Kosovë të lumtur por jo akademikisht të suksesshëm

Testimi ndërkombëtar i njohurive të 15-vjeçarëve, i njohur si PISA, sivjet krahas fushave të shkencës, matematikës e leximit, do të fokusohet edhe në ndryshimet klimatike, sfidat mjedisore dhe jetesës në botën digjitale. Drejtori për Edukim dhe Shkathtësi në OECD, Andreas Schleicher tha se nxënësit në Kosovë tregojnë mirëqenie të lartë emocionale, por kanë nevojë për përmirësim në matematikë, shkencë e lexim

Pyetjet në testin ndërkombëtar PISA, që sivjet do t’i nënshtrohen 15-vjeçarët, do të përqendrohen në adresimin e problemeve rreth ndryshimeve klimatike dhe sfidave mjedisore. Testimi që mbahet në maj do të përmbajë pyetje si edhe herëve të tjera nga fushat e shkencës, matematikës dhe leximit. 

E në konferencën e Ministrisë së Arsimit, mbi ndikimin e PISA-s në politikat arsimore, që u organizua të mërkurën, u bë e ditur se sivjet do të shtohet edhe një fushë e re. Fatmir Elezi, drejtor në Divizionin për Vlerësime në MASHTI, ka thënë se sivjet nxënësit do të kenë pyetje edhe për përdorimin e teknologjisë në funksion të mësimnxënies. 

“Një fushë e re që edhe Kosova e ka këtë vit, është të jetuarit në botën digjitale. Vetëm të përmendi që të gjithë nxënësit do të kenë shkencë, por nuk do të thotë që të gjithë do të kenë matematikë e lexim. Shkenca do të kombinohet me njërën nga fushat tjera, mirëpo një numër i nxënësve do të ketë të tri fushat, nuk do të ketë nxënës që do të ketë katër fusha”, ka thënë ai. 

Në konferencë u diskutuan edhe rezultatet e testimit të vitit 2022. Përmes videolidhjes, drejtori për Edukim dhe Shkathtësi në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, që edhe organizon testin, Andreas Schleicher, foli për pikën e fortë e të dobët të nxënësve në Kosovë.

“Mirëqenia psikologjike është shumë më e lartë se në vendet e tjera të OECD-së. Nxënësit tregojnë më shumë qëndrueshmëri emocionale, janë më konfidentë, janë më të lumtur. Por Kosova ka nevojë për më shumë përmirësim në matematikë, shkencë e lexim”, ka thënë ai. “Duhet ta shqyrtojmë suksesin në arsim në shumë aspekte, pra nxënësit janë të lumtur në Kosovë, por jo edhe akademikisht të suksesshëm”, ka shtuar ai. 

Për t’i adresuar rezultatet e fundit të PISA-s, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se ka mbajtur takime me ekspertë e përfaqësues të shkollave.

“Mbajtëm takime konkrete nga ekspertë arsimorë, mësimdhënës, prindër, profesorë, hulumtues të fushës, dhe vlerësimet precize në të gjitha fazat e procesit, duke përfshirë rishikimin e teksteve mësimore bazë, konceptimin e vlerësimeve të standardizuara shtetërore në harmoni me metodologjinë e PISAS, riorganizimin e shkollave dhe përgatitjen cilësore të koordinatorëve e administruesve të testit”.

Për testimin që do të mbahet në maj janë përzgjedhur me metodologjinë rastësore 239 shkolla. E me po të njëjtën metodologji do të përzgjidhen rreth 7 mijë nxënës. 

Në testimin e fundit, nxënësit nga Kosova janë renditur në vendin e 74-t në matematikë në mesin e bashkëmoshatarëve të tyre nga 80 shtete pjesëmarrëse, dhe të 76-tin në lexim. Në të dy fushat, ata kanë pësuar rënie në performancë me 11 pikë krahasuar me testin e vitit 2018. E në fushën e shkencës, nxënësit nga Kosova janë renditur të 77-tit, me rënie prej tetë pikësh. 

Sipas përshkrimit në faqen zyrtare të OECD-së, nëpërmjet testit PISA matet njohuria e 15-vjeçarëve për lexim, matematikë e shkencë dhe aftësitë e tyre për të përballuar sfidat e jetës reale.

PISA për herë të parë është realizuar në vitin 2000 dhe më pas përsëritet çdo tre vjet. Testimi i vitit 2021 ishte shtyrë për vitin 2022 shkaku i pandemisë COVID-19.

Qëllimi i tij është të sigurojë të dhëna të krahasueshme me qëllim që t’u mundësojë vendeve të përmirësojnë politikat dhe rezultatet e tyre arsimore. Ai mat zgjidhjen e problemeve dhe njohjen.