LAJMET E MBRËMJES

Drejt “amnistisë” katër ish-ministrat e akuzuar për faljen e katër hidrocentraleve

Në seancën ku kanë paraqitur fjalën përfundimtare prokurori dhe pjesa më e madhe e të akuzuarve në rastin “Falja e Hidrocentraleve”, janë dhënë versione konfrontuese nëse gjykata duhet shpallur dënim, ose jo. Pavarësisht verdiktit, katër ish-ministra të përfshirë në këtë rast pritet të amnistohen. Në të dy shkallët për këtë rast do të duhej të vendosej deri në majin e vitit 2023. E, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë për të akuzuarit lënda do të vdesë juridikisht për shkak të parashkrimit absolut

Prokuroria dhe një pjesë e mbrojtjes kanë dhënë fjalën përfundimtare në rastin “Falja e Hidrocentraleve”, në të cilin katër ish-ministra: Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi e Nenad Rashiq akuzohen për kontrabandim të katër hidrocentraleve bashkë me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së KEK-ut. Edhe pse procesi po i afrohet fundit, ky rast, sipas një analize të kryer nga KOHA për proceset gjyqësore, s’do t’i shpëtojë parashkrimit.

Për rastin “Falja e Hidrocentraleve”, katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, si dhe Fëllënza Beqiri-Hoxha dhe Arben Gjuka ish-zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovë (KEK), akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së KEK-ut. Hetimet për këtë aktakuzë patën nisur pas një raportimi në Koha Ditore.

Këta zyrtarë e ish-zyrtarë kanë votuar që Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, ai në Dinakcë dhe Hidrocentrali i Radavcit të kalojnë në pronësi të kompanisë “Limak-Calik”.

Në seancën e mbajtur të enjten, prokurori i Prokurorisë Speciale, Atdhe Dema, ka thënë se të akuzuarit kanë kryer qëllimshëm veprën dhe se gjatë procesit gjyqësor është vërtetuar në tërësi aktakuza.

“Nga provat e nxjerra në shqyrtim është vërtetuar në tërësi kryerja e veprës penale. Të njëjtit veprën penale e kanë kryer me dashje. Këto hidrocentrale që kanë qenë prodhim, janë prodhim dhe do të jenë prodhim e nuk janë shpërndarje. Ka qenë një opinion i cili gjatë shqyrtimeve gjyqësore herë është kundërshtuar e herë pranuar nga vetë mbrojtja”, ka deklaruar Dema.

Sipas tij, të akuzuarit nuk kanë kërkuar mendime për çështjen e privatizimit të hidrocentraleve.

“Një fakt shumë me rëndësi nga ta është pranuar – as që kanë kërkuar mendim nga ndonjë subjekt tjetër të përfshirë në privatizim për këto hidrocentrale”, ka thënë prokurori Dema. “Për çka është krijuar Komiteti qeveritar i privatizimit? Që secilin dokument, secilën shkresë ta kontrollojnë dhe ta vlerësojnë një nga një. Në anën tjetër e kemi Njësinë për implementim të projektit. Të njëjtit janë pyetur për bazën ligjore. Një pjesë kanë thënë e ndalon, drejtori menaxhues ka thënë se i lejon. Thirren në mendimin e ZRRE-së që komentin e nxjerrin nga konteksti... Ka qenë fakt që këto hidrocentrale kanë qenë në koncesion dhe dihet kush kanë qenë palët kontraktuale”.

Shukrije Miftari, përfaqësuese e palës së dëmtuar (KEK), ka thënë se e mbështet fjalën e Prokurorisë. Ajo ka theksuar se, siç ka deklaruar edhe eksperti, dëmi i shkaktuar arrin vlerën mbi 12 milionë euro.

Kurse, Besnik Berisha, avokat i Besim Beqajt, ka thënë se të akuzuarit nuk kanë shkelur asnjë normë.

“Ekspert që bën gjithçka e që s’di asgjë. Prokuroria iu ftoi t’i besoni një logjike jologjike. Cilin ligj e paskan shkelur? A e dëgjuat ndonjë normë që e kanë shkelur? Asnjë. Na del një ekspert që herë flet për insulina, herë për hidrocentrale. Për herë të parë eksperton për privatizim”, ka thënë avokati Berisha, i cili ka mohuar edhe raportin e ekspertëve.

Aktakuzën e kanë mohuar edhe mbrojtës të të akuzuarve të tjerë.

Avokati i Fllanza Hoxhës, Artan Qerkini, ka thënë se nuk është gjetur korrupsioni, pavarësisht se është përpjekur Prokuroria. Qerkini ka thënë se prokurori s’ka arritur ta paraqesë e as ta vërtetojë motivin e përfitimit të Limak-Çalikut, as bashkëkryerjen e as korruptimin e zyrtarëve.

“Dhe imagjinoni secili prej tyre e paska pasur qëllimin e njëjtë, ka vepruar me qëllim që KEK-ut t’i shkaktojë dëm dhe ‘Limak-Çalikut’ t’i shkaktojë dobi pasurore. Imagjinojeni të gjithë e paskan pasur qëllimin e njëjtë e kurrfarë koordinimi mes tyre për ta realizuar qëllimin e njëjtë. A ka kjo logjikë? Nuk ka logjikë. Këtu, elementi subjektiv nuk vërtetohet”, është shprehur Qerkini.

Seanca e fjalës përfundimtare do të vazhdojë më 2 nëntor.

Rasti “Falja e Hidrocentraleve” ka nëntë vjet që ka nisur. Megjithatë, është përcjellë me zvarritje kohë pas kohe, përveç në hetime, edhe në procesin gjyqësor.

Dështim seancash ka pasur kohë pas kohe. Sipas një analize të publikuar nga KOHA vitin e shkuar, lënda rrezikon të parashkruhet, meqë gjyqësori nuk ka shumë kohë që ta përfundojë këtë rast me aktgjykim të formës së prerë.

Në të dy shkallët për këtë rast do të duhej të vendosej deri në majin e vitit 2023. Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë për të akuzuarit rrezikohet që lënda të vdesë juridikisht për shkak të parashkrimit absolut.

Në rast ishin të përfshirë fillimisht më shumë zyrtarë. Megjithatë, për 13 prej tyre ishte vendosur për pushim hetimesh.