Mesazhet e Ipeshkvisë së Kosovës për Krishtlindje janë dominuar nga thirrja për dashuri dhe ndalje të urrejtjes. Krahas Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, edhe liderët institucional e partiak i kanë uruar besimtarët që festojnë në bazë të kalendarit gregorian duke dhënë mesazhe të shpresës, dashurisë dhe solidaritetit
Besimtarët katolikë në Kosovë festuan Krishtlindjen, ndërsa në mesnatë mesha kryesore është mbajtur në katedralen Nënë Tereza. Ipeshkvi Dodë Gjergji në mesazhin kryesor të kësaj feste bëri thirrje për dashuri e ndalim të urrejtjes. Dodë Gjergji, tha se në botë po ndodhin luftëra të panevojshme që burimin e kanë pikërisht te urrejtja.
“Të sjellim dashuri në këtë kohë plotë urrejtje, pasi po jetojmë thatësinë e shpirtit pa dashuri dhe helmin e zemrës njerëzore me urrejtje qofshin ato politike, fetare apo etnike. Sa luftërat e pakuptimta nëpër botë janë duke ndodhur sot, sa rrënimet e panevojshme gjithandej ku ka luftëra dhe sa dëme anësore përjetojnë të gjithë ata që e duan lirinë. Dhe sa jetë njerëzish humbin në gjithë vendin. Gjëja më trishtueshme e kësaj urrejtje është se humbja e jetëve njerëzore nuk vlerësohet fare, thjesht llogaritet me numër”, u shpreh Gjergji.
Ai tha se shoqëria ka nevojë për dashuri dhe unitet e tolerancë e jo përçarje. Bëri thirrje për dashuri e pajtim, tek kritikoi politikanët për përçarjet mes tyre.
“Mjaft me nxitje të mos durimit, me përçarje e me fyerje pasi që sot në botë ka mjaft urrejtje. E populli ynë sidomos, vendi ynë, familjet tona dhe çdo njeri mes nesh ka nevojë për dashuri. Prandaj, të bëhemi vegël e paqes. Ne nuk e kemi fuqinë t’i ndalojmë luftërat, por kemi mundësi të sjellim dashuri prindërve të vetmuar ose të braktisur nga fëmijët e tyre. Mund të sjellim pajtim dhe dashuri tek vëllezërit e hidhëruar me njëri-tjetrin, po ashtu te politika e përçarë e te politikanët që kanë nevojë për ndërgjegjësim, pse jo edhe te ne prijësit e feve”, tha Gjergji.
Besimtarët i kanë uruar krerët institucionalë, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, që përveç pjesëmarrjes në meshën qendrore, ishin edhe pjesë e pritjes së Ipeshkvisë. Presidentja Osmani kujtoi figurën e shenjtores shqiptare Nënë Terezës, për të cilën tha se u flijua për njerëzimin.
“Më lejoni që duke kujtuar karakterin e vërtetë Krishtlindjes, vuajtjet e krishtit për njerëzimin, flijimin dhe ringjalljen e tij të rikujtojmë edhe shembullin tonë të mirësisë atë të nënës Terezë. T’i rikujtojmë vlerat tona të cilat i shëmbëllen aq mirë e aq thellë Gonxhja jonë, Shën Tereza. Ajo u flijua për njerëzimin, për më të varfërit e më të varfërve dhe nga vuajtjet e tyre krijoi shembëlltyrën e ringjalljes së shpresës të dashurisë për njerëzimin e të ndihmës së pakursyer për të”, tha Osmani.
Edhe kryeministri Albin Kurti përçoi mesazh të ngjashëm, duke uruar për mirënjohje e kujdes.
“Është Krishtlindje çdoherë kur nuk i pranon ato parime që i robërojnë të ndrydhurit në skaje të shoqërisë. Është Krishtlindje çdo herë që shpreson në ata që nuk kanë shpresë në aftësi fizike dhe shpirtërore. Andaj uroj që Krishtlindja të na rikujtojë edhe kur të harrojmë se kujdesi dhe dashuria nuk duhet të jenë vetëm një ditë, por në përgjithësi ndaj secilit qytetarë që të jetojë me dinjitet. Krishtlindja është edhe mirënjohje edhe falënderim. Le ta përdorim këtë festë të Krishtlindjes për të reflektuar mirënjohje dhe për të bashkëbiseduar me falënderim për atë që kemi te njëri tjetri”, tha Kurti.
Mesazhe urimi për besimtarët e krishterë që e festojnë Krishtlindjen me kalendarin gregorian, kanë bërë edhe liderët opozitarë. Ata nëpërmjet rrjeteve sociale kanë uruar besimtarët në rastin e kësaj feste, duke përcjellë mesazhe të respektit, solidaritetit, shpesës e unitetit mes shqiptarëve.