Komisioni për buxhet ka diskutuar për borxhin publik dhe të hyrat e Doganës dhe ATK-së. Në mbledhjen e tij, përfaqësuesit e institucioneve u pyetën edhe për çështjen e dinarit. Kryetari i Komisionit, Armend Muja ka treguar se nga 2008 deri më 2023 ka pasur rritje të hyrjes së dinarit në Kosovë. Sipas tij, ato kanë qenë të destinuara për Postën e Graçanicës apo për Bankën Komerciale
Sasia e dinarit serb që ka hyrë në Kosovë, nga 2.3 miliardë sa ishte më 2008 është rritur në 23 miliardë dinarë, më 2023. Këtë të dhënë e ka prezantuar në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja, në të cilin kanë raportuar ministri i Financave dhe përfaqësues të Doganës e të Administratës Tatimore. Muja ka treguar se shifrat i ka siguruara nga Dogana e Kosovës.
“Në vitin 2008 kanë qenë 2.3 miliardë dinarë të pranuar kesh dhe kjo ka arritur në 23 miliardë në vitin e fundit, pra ka pasur një rritje shumë të madhe të parave të pranuara. Në pyetjen se ku kanë qenë të destinuara ato mua më është thënë se ato janë destinuara për postën e Garancisë apo për Komercialnja Banka me qëllim që të paguhen pensionet”, ka thënë Muja.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se importimi i tillë ka ndodhur duke u thirr në transferet e Bankës Komerciale, e cila sipas tij është licencuar në vitin 2007, ndërsa përtëritja e licencës i është bërë më 2016-n.
“Megjithatë, nuk është se ka pasur rregullim të caktuar sa u përket autorizimeve për import të parasë së gatshme, ka qenë banka që ka lejuar një gjë të tillë. Por me rregulloren tash kërkohet që përveç që të jetë institucion i licencuar të ketë edhe autorizimet kur të bëhet transferet”, ka thënë ai.
Gjatë raportimit në Komision, drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, tha se ka pasur dy tentime për të futur dinarë në Kosovë, por që kjo nuk është lejuar.
“Sa i përket importit të dinarëve, ministria ka kërkuar qysh në vitin 2021 që të trajtohet aspekti i ligjshmërisë të çështjeve të dinarit. Kemi pasur një studim të çështjes dhe kemi ngritur të BQK-ja. Rregullorja e BQK e ka rregulluar këtë çështje. Me rregulloren e re është specifikuar. Tani as një lëvizje nuk mund të bëhet pa prezantuar autorizimin”, ka thënë ai.
Llugaliu e pranon se ka pasur tendenca për të sjellë dinarë në Kosovë, por që ato janë parandaluar.
“Ka pasur disa tentime që kanë provuar që të sjellin parë dinarë në procedurën që ka qenë më herët. Dogana e Kosovës menaxhimin e parës deri me tash e ka pasur në saj të ligjit për pastrim parave. Nuk qëndron që ka pasur hyrje të dinarit. Dy raste që janë paraqitur në pikë kalimin kufitar dhe normalisht i kemi njoftuar që çfarëdo importi i parasë duhet të bëhet në bazë të rregullores”, u shpreh ai.
Vonesa në miratimin e rregullores nga BQK përplasën deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.
“Sa kanë hy në Kosovë, pse nuk është ndalur prej marsit 2021, kur e keni marrë qeverisjen deri në janar 2024, sa kanë hyrë, pse vendose tash ta bëni këtë veprim. Me herët është lejuar të hyjë. Gjatë mandatit tuaj pse është lejuar të hyjë valutë e paautorizuar”, ka thënë Hoti.
Por, ministri Murati tha se si është lejuar më herët duhet të pyetet guvernatorin, e jo atë.
“Sepse tash është në fuqi rregullorja e BQK-së, prej datës 1 shkurt… Qysh po shihet është lejuar që prej vitit 2007 një gjë e tillë. Tashmë po zbatohet Rregullorja e BQK-së. Unë s’jam guvernatori i BQK-së, as nuk kam qenë, mund ta pyesni kush ka qenë guvernator me herët”, ka theksuar Murati.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se çështja e dinarit nuk është dashur të diskutohet në Këshill të Sigurimit. Lekaj pyeti nëse ka pasur hyrje të dinarit në Kosovë pas këtij vendimi.
“Ajo që më intereson si deputet është se pse ka vazhduar permanent nga të gjitha qeveritë që dinari të merret si valutë në mënyrë jo ligjore. Nuk guxojmë që ta përvetësojmë një rregullore të brendshme dhe çështja të shkoj deri në Këshillë të Sigurimit për diçka që është ligjore. Ne duhet të jemi më të matur sa i përket që problemin e dinarit mos ta shndërrojmë nëpër tavolina as në Bruksel e sidomos në Këshill të Sigurimit”, ka thënë ai.
Polemika mes ministrit Murati dhe përfaqësuesve të opozitës kanë nxitur edhe shifrat e borxhit publik për vitin 2023. Murati ka thënë se borxhi publik është në nivelin më të ulët në Evropë.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi munduar që të stabilizojmë borxhin publik, e madje në vitin paraprak kemi pasur rënie në vlerë absolute të borxhit krahasim me vitin 2022, dhe për më tepër, rënia është theksuar edhe më tej në terma relativë, pra kur krahasohet si borxh ndaj bruto prodhimit vendor”, ka thënë Murati.
“Nëse flasim me shifra konkrete, pra borxhi ndaj GDP-së në vitin e kaluar është mbyllur me 17.2 për qind e GDP-së në krahasim me vitin 2020 që ka qenë 22.44 për qind. Nëse shihet trajektorja, që nga viti 2020 e këndej ka pas rënie të vazhdueshme të borxhit publik, pra vitin e fundit sidomos ka pasur rënie edhe në vlerë absolute, pra duke reduktuar kryesisht vlerën e letrave me vlerë të emetuara nga Qeveria, kjo si përgjigje ndaj rrethanave të jashtme që kanë qenë, e që kanë të bëjnë me rritjen e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane e që kjo në terma makroekonomik rezulton edhe më një shtrëngim në kreditim të ekonomisë reale”.
Deklarimi i ministrit Murati për ulje të borxhit ka nxitur reagim të deputetit Avdullah Hoti. Ai ka thënë se borxhi vetëm është mirëmbajtur dhe nuk ka pasur përmirësim të performancës së borxhit publik. Sipas Hotit, nuk mund të merret referencë viti 2020 i pandemisë, pasi që në atë kohë është rritur kreditimi dhe ka qenë në rritje, shkaku i situatës së jashtëzakonshme. Ai ka thënë se 17 për qind e GDP-së ka qenë borxhi edhe në vitet paraprake.
“Nëse e merreni vitin 2019, besoj se kjo duhet të merret. Sot kemi 462 milionë euro më shumë borxh publik, nuk po them se është keq, por t’i citojmë shifrat saktë. Nuk e ke ulë borxhin publik, e ke mirëmbajtur një praktikë të mirë, të etabluar nga Qeveria e Kosovës në mbështetje të partnerëve ndërkombëtar, Fondi Monetar në veçanti. Bile ti ke qenë një ndër personat kyç në huazimet gjatë qeverive të kaluara, vetë i jep kredi edhe vetes edhe realitetit. Puna jote në borxhin publik shenjë nuk ja ka lënë këtij vendi, asgjë nuk ke bërë, 17 për qind e ke gjetur ”, ka thënë ai.
Hoti ka vazhdar duke i është drejtuar ministrit Murati që ta lë ironinë, pasi siç ka thënë nuk është duke u munduar që ta poshtërojë askënd. Hoti ka kërkuar sqarime pse nuk është bërë vlerësim kreditor.
“Sa është vlera e kredive që janë ratifikuar në Kuvend gjatë këtij mandati qeverisës. Sa janë disbursuar. Prej këtyre që janë ratifikuar gjatë mandatit tuaj sa është përafërsisht përqindja e disbursimit”, pyeti Hoti.
Ndërsa në përgjigje të tij, Murati ka treguar se në vitin 2023 janë disbursuar 102.4 milionë nga 692 milionë të ratifikuar. Sipas tij, më 2023 në Kuvend janë ratifikuar kredi në vlerë afro 300 milionë euro. Murati ka thënë se janë duke ndërtuar një historik për një trend të menaxhimit të mirë të kredisë. Për këtë ka ndërhyrë Hoti.
“Pse nuk bëhet vlerësimi i kostos kreditore kur është diskutuar të bëhet më 2017. A e di sa humbjen e ka ekonomia e Kosovës shkaku i kësaj?”, ka thënë Hoti.
E Murati ka thënë se do ta bëjnë këtë dhe do të bëhet për herë të parë.
Më pas Hoti ka pyetur se çfarë vërejtje ka që nuk është bërë.
“Më është dashur që të bëjë historikun që dëshmon se kemi menaxhim mirë të kredisë dhe do ta bëjë”, ka thënë Murati.
E pas kësaj, Hoti i ka thënë Muratit se nuk do të jesh ministër për ta përmbushur këtë zotim.
Edhe deputeti Pal Lekaj nga AAK-ja ka thënë se nuk ka pasur trend të zvogëlimit të borxhit, por vetëm mirëmbajtje.