LAJMET E MBRËMJES

Dështon sërish projektligji për IFV-në, deputetët e pushtetit të ndarë

Kuvendi i Kosovës sërish nuk ka arritur ta miratojë projektligjin për fertilizimin e asistuar mjekësor, si pasojë e përcaktimit të disa deputetëve të pushtetit. Kjo nxiti polemika mes deputetëve të LVV-së. Legjislativi kaloi një numër projektligjesh pa votat e deputetëve të partive opozitare, derisa pushteti tërhoqi nga shqyrtimi në lexim të dytë Projekt-kodin doganor dhe të akcizave

Pa përkrahjen edhe të disa deputetëve të pushtetit, Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor ka dështuar për të disatën herë të kalojë në Kuvend.

Shqyrtimi e votimi i tij u vendos të mos procedoheshin më tej në seancën e së enjtes, pasi nuk kaloi amendamenti i njërit prej deputetëve kundërshtues të projektligjit, për mungesë kuorumi.

Në këtë amendament të deputetit Visar Korenica kërkohej që e drejta për të pasur fëmijë të mos u jepet individëve, por vetëm çifteve.

“Neni 3 paragrafi 11 kërkojmë që e drejta riprodhuese t’i takojë çiftit që të vendosin lirshëm nëse duan të kenë fëmijë. Jo t’i jepet e drejta individit, por të përcaktohet e drejta te çiftet”, deklaroi ai gjatë propozimit.

Me këtë projektligj synohet të rregullohen organizimi dhe përgjegjësia institucionale për dhënien e kujdesit shëndetësor të sigurt dhe cilësor në fushën e shëndetit riprodhues. Sipas tij, parashihet që të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së ta kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.

Por në seancë votimi i amendamentit dështoi, meqë nuk mori pjesë deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani. Atij kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ia ngarkoi përgjegjësinë e bllokimit të projektligjit.

“Nuk kemi kuorum, sepse një deputet qëllimshëm nga mazhoranca nuk po voton për ta pamundësuar që fare ligji të mos procedohet”, u shpreh kryetari.

Kjo nxiti polemikë mes kryeparlamentarit e deputetit Rrahmani, i cili i kërkoi Konjufcës t’ia përmendë edhe emrin, meqë dha vlerësime mbi qëndrimet e tij.

Qasja e Konjufcës u vlerësua e padrejtë edhe nga ish-deputeti i LVV-së, Haki Abazi. Por kryeparlamentari u arsyetua për deklaratën dhe tha se liria e votës i takon secilit.

“Kjo është për ta kuptuar teknikisht pse nuk po ndodh. Deputetët e kanë shpjeguar secili pozicionin e vet, nuk kemi nevojë t’i gjykojmë fare. Këto janë përcaktime të lira se qysh duan deputetët. Teknikisht pse jemi 60 është kjo”, ka thënë ai.

Meqë kuorumi nuk u bë, ligji u shty për një seancë tjetër.

E kjo seancë që në rend dite pati 30 pika u përcoll edhe me shumë probleme në konstatim të votave. Mungesa e votimit elektronik bëri që votimi me dorë i disa projektligjeve të përsëritej. Probleme të vazhdueshme pati edhe me pajisjet për diskutim.

Që në fillim të seancës, Partia Demokratike e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës shqyrtimin e Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Kosova, me arsyetimin se deputetët e partisë mungojnë për shkak të udhëtimeve zyrtare.

E pushteti e tërhoqi nga shqyrtimi në lexim të dytë Projekt-kodin doganor dhe të akcizave. Kuvendi miratoi një numër projektligjesh si atë për Këshillin e Sigurisë, Projektligjin për noterinë, për rininë, projektligjin për regjistrin e pronarëve përfitues e projektligjin për ndryshimin e ligjeve që përmbajnë procedura të administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.

Po ashtu me mbështetjen e deputetëve të AAK-së, Kuvendi miratoi në lexim të parë Projektligjin për kontrollin e kufirit shtetëror. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u shpreh se me të fuqizohen kompetencat e policisë në lidhje me kontrollin e kufirit.

“Ky projektligj është një ndër ligjet më të rëndësishme në sektorin e sigurisë, pasi ndikon drejtpërdrejt në sigurinë dhe mirëqenien territoriale të vendit tonë. Projektligji ka rol jetik në mënyrën si menaxhohet kontrolli dhe mbikëqyrja e kufirit shtetëror, duke vendosur kompetencat e policisë në lidhje me kontrollin e kufirit dhe bashkëpunimin me organet shtetërore, të përfshira në menaxhimin e kufirit. Qëllimi te jetë i qartë, të garantojë sigurinë tonë dhe të sigurojë kontrollin efektiv të kufijve tanë shtetërorë”, ka thënë Sveçla.

Seanca, që ishte vazhdim i disa të tjerave, sërish mbeti në gjysmë për mungesë kuorumi. Pa trajtim mbetën më shumë se dhjetë pika.