Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk është paraqitur të premten në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, të cilën vetë e ka thirrur për ta miratuar buxhetin. Mungesa e tij është përdorur si arsye nga asamblistët opozitarë për të mos qëndruar në sallë. Për pasojë, për të tretën herë ka dështuar miratimi i buxhetit të kryeqytetit
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka dështuar të premten për të tretën herë që ta votojë buxhetin e kryeqytetit për vitin 2025.
Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe ata të Partisë Demokratike (PDK) kanë refuzuar të qëndrojnë në sallë për të votuar, në mbledhjen e jashtëzakonshme në të cilën ka munguar kryetari Përparim Rama, i cili vetë e ka ftuar seancën.
Përfaqësues të të dyja partive që janë opozitë në kryeqytet kanë kërkuar t’i dinë arsyet e mungesës së Ramës.
“Nënkryetari, në mungesë të kryetarit i cili nuk po dihet se ku është, na fton për mbështetje dhe përkrahje sepse nuk e ka shumicën. Mbështetje për të filluar ndërtime në zona të ndryshme pa leje? Për të filluar punë në rrugët që kanë masë të sigurisë nga gjykatat?”, ka thënë Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë.
E Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së, në fjalën e mbajtur ka shprehur mospajtim që kryetari Rama nuk është paraqitur në seancën që vetë e ka thirrur dhe ka kërkuar sqarim nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina.
“Unë nuk e di ku është kryetari, dikush ndoshta e di, por unë nuk mundem t’i shti me zor me tregu se ku është”, ka thënë Kupina.
Përgjigje në pyetjet e asamblistëve opozitarë nuk kanë dhënë as dy nënkryetarët nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK), e cila qeveris Prishtinën, Alban Zogaj dhe Jehona Lushaku-Sadriu.
E, drejtoresha e Financave, Valbona Makolli, kur e ka marrë fjalën për ta prezantuar buxhetin, ka theksuar se kryetari ndodhet në një udhëtim zyrtar.
“Kryetari nuk është këtu, është në një udhëtim zyrtar. Na ka udhëzuar mua dhe nënkryetarët për të prezantuar buxhetin”, ka thënë Makolli.
Ajo ka lutur asamblistët që ta votojnë buxhetin për vitin 2025.
“Ju përulem të gjithëve që jeni prezentë sot ta votoni këtë buxhet. Keni të drejtë të gjithë, por për shkak të problemeve të shumta dhe për shkak të zgjedhjeve në nivel qendror dhe zgjedhjet në nivel lokal, ju lutem me të mirat dhe të këqijat ta votojmë”, është shprehur ajo.
Por thirrja e saj nuk është përfillur nga opozitarët.
Asamblistë të PDK-së dhe ata të Vetëvendosjes e kanë braktisur sallën dhe në mungesë të kuorumit është pamundësuar vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme.
Kryetari Rama nuk ka qenë prezent as në seancën paraprake të rregullt, ku pikë e rendit të ditës ishte buxheti, ndërsa prezenca e tij nuk ndihmoi herën e parë që të siguroheshin votat e nevojshme.