LAJMET E MBRËMJES

Dështon nisma e Ramës për ta çuar përpara procesin e miratimit të Planit Zhvillimor Komunal

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk ka mundur ta kalonte një hallkë procedurale drejt miratimit të Planit Zhvillimor Komunal, meqë seanca u bojkotua nga opozita. E, pas kësaj, Rama akuzoi asamblistët e Vetëvendosjes dhe të PDK-së, dhe polemizoi me ish-nënkryetarin Dardan Sejdiu dhe me njohës të urbanizmit

Ka dështuar të mbahej seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilën ishte planifikuar miratimi i vendimit për ta hedhur në shqyrtim publik draftin e Planit Zhvillimor Komunal.

Me vetëm 21 asamblistë prezentë, të enjten Kuvendi Komunal nuk pati kuorum për vazhdimin e kësaj seance.

Jashtë sallës së Kuvendit kryetari Përparim Rama tha se opozita ka kërkuar transparencë, por ka bllokuar Planin Zhvillimor Komunal që të dalë në konsultim publik.

“Shohim shumë postime që bazohen në jotransparencë. Është e kundërta prej asaj që ne po kërkojmë prej një viti e gjysmë – një dokument në të cilin kanë punuar të gjitha drejtoritë, institucionet, qytetarët, një dokument që është i gatshëm për diskutim publik që t’i paraqitet publikut që ta rishikojmë së bashku, të japim komente, propozime. Nuk votohet që të dilet në diskutim publik”, ka thënë Rama.

Gjatë paraqitjes së tij pati përplasje verbale mes Ramës dhe ish-nënkryetarit të Prishtinës, Dardan Sejdiu, i cili e ndoqi ngjarjen dhe paraprakisht kundërshtoi planin.

“Janë njerëz si ti që japin dezinformata, që i rrejnë njerëzit. Njerëz si ti që i rrejnë të gjithë njerëzit”, i është kundërpërgjigjur Rama një pyetjeje të Sejdiut, i cili kërkoi të dijë se sa lagje janë vizituar përpara hartimit të draftit të Planit Zhvillimor.

Sejdiu në Facebook shkroi më vonë se pyetjeve të thjeshta Rama iu përgjigj me akuza e mllef.

“Ani, në rregull jemi. Ama nëse mendon që Prishtina është veç Kuvend Komunal e ka gabim, e sidomos nëse në fund të mandatit don me ja shtu Pishtinës edhe nja 1 milion m² beton”, ka shkruar ai.

Kryetari Rama polemizoi edhe me njohësin e urbanizmit, Driton Tafallari.

Në seancën në të cilën nuk pati kuorum, munguan asamblistët e Vetëvendosjes dhe ata të PDK-së, si dhe kryesuesi Fehmi Kupina. Por, në të morën pjesë dy asamblistët e përjashtuar nga Vetëvendosja, Berat Lahu dhe Edmond Azemi, të cilët edhe më parë janë deklaruar pro vendimit.

E, shefi i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes insistoi se dokumenti duhet ndryshuar përpara se të vihet në diskutim publik.

“Nuk është hera e parë që një dokument i tillë po sillet në Kuvend. MAPL-ja i ka gjetur 28 komente negative në këtë draft. Nuk është bërë në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe është bërë në errësirë të plotë dhe në mungesë të debatit me qytetarët”, ka thënë Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të LVV-së.

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka thirrur për të martën mbledhje të jashtëzakonshme, me të njëjtën pikë të rendit të ditës.