Dëshmitari Shefqet Binaku e ka fajësuar të martën të akuzuarin për krime lufte Slagjan Trajkoviq se ka mësyrë ta vriste dhe se paraprakisht e kishte goditur me armë zjarri.
Para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ky dëshmitar i Prokurorisë theksoi se ishte larguar nga fshati Pasomë për t’u strehuar në një shtëpi në Vushtrri, nga ku më 22 maj të 1999-s dy ushtarë serbë e nxorën me forcë.
Tek e rrëfeu ngjarjen, Binaku tha se bashkë me familjarët e tij u detyruan nga forcat serbe t’i bashkëngjiteshin një turme të madhe me rreth 1 mijë civilë shqiptarë, afër varrezave të qytetit.
Ai theksoi se aty u godit me tytën e armës nga Trajkoviqi, i cili ishte i veshur me rroba të policisë serbe.
“Kur më ka vërejtur që jam ngritur pak, i akuzuari më tha: ‘Hala koke gjallë’, edhe më shau me nënë. E ngrehu pushkën... NATO-ja më ka shpëtu. Në atë moment ka nisur bombardimi i furishëm, e unë e kam parë vdekjen e sy... Me armën e tij më ka goditur në këtë pjesë (në afërsi të veshit). Në atë moment nuk dija më kurrgjë, sepse kam ra si pashpirt”, ka thënë dëshmitari Binaku.
Ditën kur Binaku pa vdekjen me sy, forcat serbe i vranë 68 civilë shqiptarë në Vushtrri, trupat e të cilëve më pas i zhdukën. Përpos njërit, të tjerët u gjetën në Serbi, në varrezën masive në Batajnicë afër Beogradit.
Dëshmitari Binaku tregoi se nga salla e sporteve ku forcat serbe i çuan civilët, atë dhe shumë të tjerë i hipën në kamionë dhe i dërguan në burgun e Smrekonicës. Ai tha se i akuzuari Trajkoviqi, të cilin e njihte, e kishte paralajmëruar se ndodhej në listë për t’u vrarë.
“Më tha: ‘Nuk do të shkosh në Smrekonicë. Ti je i 75-ti me radhë’”, ka thënë dëshmitari Binaku.
Ai tha se edhe gjatë procesit të identifikimit, dëgjoi nga një polic planin që Trajkoviq kishte bërë për ta vrarë.
“Kur filluan të na identifikonin me letërnjoftime, një polic i ri që unë nuk e kam njohur, po në momentin që ma ka dhënë letërnjoftimin e më ka këqyrë, në atë moment e ka thirr këtë person: ‘Eja Sllagjan se ta kam gjetë njeriun që po e kërkon’. Ka qenë i veshur si polic. Të gjithë kanë qenë policë. Ka qenë i dallueshëm mirë sepse nuk ka qenë me maskë”, ka thënë Binaku.
I akuzuari Slagjan Trajkoviq është serb nga Novolani i Vushtrrisë. Sipas Prokurorisë Speciale, ai ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestim, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie e në dëbim të mijëra civilëve shqiptarë gjatë luftës.
Në aktakuzë thuhet se Trajkoviqi mori pjesë edhe në masakrën e Reznikut më 6 prill të 1999-s.