LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari Sadik Halitjaha flet për përçarjen UÇK-FARK në Zonën e Pashtrikut

Sadik Halitjaha në dëshminë e tij të enjten, në rastin ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, foli për probleme të mëdha në organizim të luftës. Ai pretendoi për përçarje mes ushtarëve të UÇK-së dhe FARK-ut, i mbështetur nga Qeveria në ekzil e udhëhequr nga LDK-ja. Ai konfirmoi edhe një letër që e kishte shkruar më 14 mars 1999

Sadik Halitjaha, ish-zëvendëskomandat i Zonës Operative të Pashtrikut, në ditën e tretë të dëshmisë së tij para Gjykatës Speciale në Hagë, të enjten, ka folur për problemet me organizimin e luftëtarëve në zonën e tij shkaku i përzierjes së komandës së UÇK-së me atë të FARK-ut.

Në pyetjet e avokatëve mbrojtës, ai konfirmoi vërtetësinë e një letre që e pati shkruar më 14 mars 1999, ku i ishte ankuar Shtabit të Përgjithshëm lidhur me Sylejman Kollçakun, që, siç tha, i bindej Qeverisë në ekzil e udhëhequr nga LDK-ja. Shpërfillje të Shtabit të Përgjithshëm tha se pati bërë edhe Ekrem Rexha, i njohur atëkohë si Komandant Drini.

“Mjaftonte lidhja e Drinit me zëvendësin e tij dhe zëvendësi i vet përmes telefonave satelitorë që kishte dhe njerëzve që kishte rreth vetes që ka ardhur me 136 nënoficerë dhe ushtarë - ata komunikonin drejtpërsëdrejti me Qeverinë në ekzil, me Halil Bicin dhe mungesa e koordinimit në nivel të Zonës Operative të Pashtrikut që të jetë e koordinuar në një pikë të caktuar bënte një fraksion të dyfishtë, ndahej në dy pjesë dhe ky ishte reagimi ynë me kohë dhe me vend atëherë”, ka thënë Halitjaha.

Dëshmitari ka thënë se përçarjet u rritën me kalimin e kohës, deri në një pikë ku ushtarët e UÇK-së dhe ata të FARK-ut ushqeheshin ndaras.

“Filluan edhe të ushqeheshin veç neve, sepse kishin ardhur me paratë e tyre nga Qeveria e ekzilit në Shqipëri dhe filluan të ushqeheshin veç duke u arsyetuar se agjërojnë Ramazan dhe zgjoheshin natën e hanin bukë. Nuk ushqeheshin bashkë me ne. Filloi njëfarë ndarjeje, i vunë barriera Brigadës 123 në dy anët e rrugës kryesore që të mos mund të kalojnë as ushtarët e as luftëtarët pa kontroll. Dhe kjo ishte hera e parë që u desh t'i pajisim ushtarët me leje qarkullimi dhe këtë e bëra unë, sepse ushtari i armatosur të mos ketë leje qarkullimi në fushën e luftës - kjo ishte një pengesë e madhe për luftën”, ka deklaruar ai.

Sipas dosjes paraprake të Prokurorisë për rastin Hashim Thaçi dhe të tjerët, Shtabi i Përgjithshëm mori masa për ta futur nën kontrollin e saj Zonën e Pashtrikut, duke e emëruar në pranverën e vitit 1999 komandant zone Tahir Sinanin në vend të Ekrem Rexhës - Drini, i vrarë një vit pas luftës. Kundër Ekrem Rexhës, siç pretendon Prokuroria, pati propagandë mediale se po e mbështeste ushtrinë e Qeverisë në ekzil, FARK. Në dosje thuhet se shkaku i mosbesimit mes vete, komandantët e disa zonave i raportonin drejtpërdrejt Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas ZPS-së, vetë Halitjaha i ka nxitur pjesëtarët e UÇK-së kundër LDK-së.

“Ngjashëm, Sadik Halitjaha i udhëzoi ushtarët nën komandën e tij se pjesëtarët e LDK-së ishin të pabesë dhe tradhtarë të Kosovës, duke veçuar që lufta s’është vetëm kundër serbëve, por edhe kundër anëtarëve të LDK-së. Në adresimin e tij në shtator 1998, Halitjaha tha që ‘të gjitha strukturat e LDK-së janë kundër nesh’”, shkruhet në pikën 82 të kësaj dosjeje.

Një listë tradhtarësh, Halitjaha ka thënë se e mori prej këshillit të fshatit të tij, por nuk i besoi dhe i ktheu mbrapsht.

“Ka ndodhur që këshillat e fshatrave kanë sjellë emra, lista për t’i fajësuar njerëzit si bashkëpunëtorë të Shërbimit Sekret Jugosllav dhe unë e kam pasur një rast të më vijë një listë nga fshati im, që ata njerëz i njihja të gjithë dhe e pashë se ishte krejt false, ishin qëllimet, teket e tyre për t’u hakmarrë mes vete pse kanë pirë birra bashkë me serbët, kanë ngrënë pula bashkë, kanë bërë muhabete, donin t’i paraqisnin si të rrezikshëm e me Shërbimin Sekret Jugosllav dhe unë atë listë e shqeva para atyre që e sollën. U thashë ikni hupni, shkoni n’shtëpi se nuk janë këta njerëz çfarë i paraqesin këtu”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka deklaruar se keqtrajtimi i Jakup Muharremit prej Skënder Hoxhës, për të cilin tha se e mësoi pas luftës, ishte po ashtu për motive personale. Ndërkaq në dosjen paraprake të ZPS-së thuhet se Halitjaha gjatë luftës i ka udhëzuar ushtarët e tij për luftë kundër pjesëtarëve të LDK-së.

Në hapje të seancës të së enjtes, trupi gjykues i Gjykatës Speciale në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u është përgjigjur vërejtjeve të mbrojtësit të Kadri Veselit, avokatit Ben Emmerson. Ai bëri vërejte të hënën lidhur me mundësinë e inkriminimit të dëshmitarit Sadik Halitjaha që përmendet në aktakuzë.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka thënë se në bazë të shkresave të gjykatës figuron se dëshmitari Halitjaha është njoftuar mjaftueshëm nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me të drejtat e tij.

“Sa i takon çështjes që ngrihet nga mbrojtja e z. Veseli për vetinkriminimin potencial të dëshmitarit 04765, trupi gjykues dëshiron që të sqarojë si në vijim: Trupi gjykues rikujton që gjatë intervistës me ZPS-në, ZPS-ja në seancën përgatitore të saj e ka njoftuar dëshmitarin se ai konsiderohej si i dyshuar. Gjatë intervistave dhe gjatë seancave përgatitore ai gjithashtu ishte i informuar për të drejtat e të dyshuarit dhe në veçanti për të drejtat e tij për të pasur një avokat të pranishëm ndërkohë që jep dëshmi. Kjo pasqyrohet në transkriptet e intervistës dhe në shënimin përgatitor. Trupi gjykues konsideron se ZPS-ja ka vepruar në përputhje me procedurën që parashihet, me rregulloren dhe me urdhrin për zhvillimin e procesit gjyqësor dhe për këtë arsye nuk ka arsye të mëtejshme që të trajtohet kjo çështje më tej nga Prokuroria”, ka thënë Smith.

Të hënën, avokati Emmerson përmendi pikën 155 të aktakuzës ku përmendet Halitjaha dhe rrezikun që ai mund ta inkriminojë veten. Dëshmitari përmendet në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për vrasjet e Latife dhe Rrushe Kolollit. Në këtë pjesë thuhet se rreth 17 gushtit 1998, ato u ndaluan dhe u morën në pyetje në Budakovë për rreth tri orë me urdhër të Halitjahajt. Më pas, sipas aktakuzës, trupat e tyre u gjetën në Semetisht më 23 gusht.

Trupi gjykues i dha urdhër me gojë edhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar që t’ia dorëzojë deri më 14 dhjetor listën e dëshmitarëve që synon t’i thërrasë për dëshmi për periudhën janar-mars 2024.

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se dëshmia e Halitjahës pritet të vazhdojë edhe të hënën. Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e publikuar më 27 shkurt 2023 i ngarkon ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që të katërtit i kanë mohuar akuzat.