Dëshmitari Nazmi Maloku ka deklaruar se persona të afërt me Sami Lushtakun i kishin ofruar shuma të mëdha parash që të ndryshonte dëshminë e tij në rastin “Drenica 1”. Ai tha se ishte kërcënuar dhe madje edhe helmuar, ndërsa ka pretenduar se prokurorët e EULEX-it i kishin ofruar mbi 10 milionë euro për të dëshmuar kundër UÇK-së
Nazmi Maloku ka thënë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë se njerëz të afërt me Sami Lushtakun i ofruan shuma të mëdha parash që të dëshmojë në favor të tij në rastin “Drenica 1”, ku udhëheqës dhe anëtarë të UÇK-së akuzoheshin për krime lufte.
Maloku, në cilësinë e dëshmitarit, ka thënë se kishte dhënë deklaratë në EULEX kundër disa mjekëve për një rast që ka të bëjë me gruan e tij, e zyrtarët e misionit evropian ia ndryshuan deklaratën, të cilën ai pretendon që e kishte nënshkruar në gjuhën angleze, por jo në shqip.
“Ka qenë një deklaratë kinse unë kam qenë i burgosur në Likovc dhe më kanë rrahur e maltretuar aty dhe në prezencë timen gjoja Sabit Geci e ka prerë një serb me motosharrë”, ka thënë Maloku.
Këto deklarime ai i bëri në gjykimin ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skënder Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.
Në këtë rast gjykimi është duke vazhduar për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, që përfshin edhe arratisjen e Lushtakut nga Spitali sa ishte i paraburgosur.
Maloku ka thënë se i akuzuari Mjaku i ka ofruar të holla që dëshmia e tij të ishte në favor të Lushtakut, i cili ishte njëri nga të akuzuarit në rastin “Drenica”.
“Fatmiri më ka thënë: ‘Je dëshmitar kyç’. I thashë: ‘Nëse unë jam dëshmitar kyç ata do të lirohen ditën që do të dëshmoj unë’. Mbas dy ditësh më ka thirrur Fatmiri dhe kam shkuar me grua në kafe tek ai dhe më ka thënë që shokët ia kanë dhënë 350 mijë euro të më ndihmojnë mua, të ma blejnë një banesë dhe ta paguajnë dikë të më përcjellë dhe të më ruante”, ka theksuar dëshmitari.
Maloku tha se i ishte ofruar edhe një banesë në Fushë-Kosovë, në të cilën nuk kishte jetuar asnjëherë, por ishte sulmuar gjatë një vizite në të dhe pretendon që aty edhe është helmuar.
“Kam shkuar pas një kohe ta shikoja banesën dhe në derë dikush më ka goditur nga mbrapa dhe kur më ka dalë pija mbas 3 orësh unë isha i shtrirë në vaskë, aty më kishin hedhur”, ka deklaruar ai.
Të gjitha këto, sipas Malokut, u bënë në emër të Sami Lushtakut.
“Kurrë në jetë ata njerëz nuk i kam parë më, asnjë person nga grupi i Drenicës nuk ka kontaktuar me mua përpos Rrustem Rukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës dhe krejt gjërat që janë bërë e kanë përdorur emrin e Samiut”, ka thënë Maloku.
Dëshmitari u mor në pyetje edhe nga avokatët mbrojtës. Ai tha se prokurorë të EULEX-it ia kishin ofruar mbi 10 milionë euro që të dëshmonte kundër UÇK-së, mirëpo ai nuk ka pranuar.