LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari i pestë në rastin Thaçi dhe të tjerët: Persona me maska i morën 3 veta dhe një e vranë 

Dëshmitari i pestë e ka përmbyllur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë në rastin ku krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Shpesh në pyetjet që iu parashtruan ai u përgjigj se nuk e di, porse tha se i ka parë disa persona me maska e me uniforma si të Policisë ushtarake duke i rrëmbyer tre persona dhe më vonë njërin prej tyre e kishte parë të vrarë. 

Dëshmitari i pestë i propozuar nga prokuroria e ka përmbyllur dëshminë e tij, që lidhej me akuzat për ndalim arbitrar dhe vrasje, në rastin ku po akuzohen ish-krerët e UÇK-së. 
Të hënën në Dhomat e Specializuara në Hagë, dëshmitari në pyetje të shumta u përgjigj se nuk e mban mend. 
Sidoqoftë, tek i përgjigjej mbrojtjes së Rexhep Selimit tha se e kujton që persona me maska të zeza e me emblema të UÇK-së i kishin marrë nga fshati tre persona dhe se njërin prej atyre që e kishin marrë me vete e kishte parë të vdekur.

“Gjinja me maska i kanë marrë numrin 1, 2 dhe 3. Dyshin dhe treshin i kanë zbritë edhe e kanë vazhduar rrugën”, ka theksuar dëshmitari.    
“Ti s’mund të jesh i sigurt që gjinja që e morën personin 1 janë të njëjtët që e kanë vrarë, se ti nuk ke qenë atje kur ka ndodhur, kështu?, e ka pyetur Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts.
Dëshmitari ka thënë “Jo, s’kam qenë”. 
“Megjithëse mund të duket e dukshme, por në të njëjtën kohë ti nuk mund ta dish me siguri dhe nuk mund ta dish se letra u vendos nga të njëjtët persona që kidnapuan numrin 1, a është kështu?”, ka pyetur Roberts.
“E kam gjetë të vrarë dhe letrën ia kam gjetur aty. Nuk mund të të them asgjë”, është përgjigjur dëshmitari. 
Mbrojtja e Jakup Krasniqit e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratat e dhëna më herët.
“Në këtë ankesë ju thoni se numri 1 është marrë nga shtëpia e tij. A është kështu?”, ka pyetur Venkatesvari Alagendra, avokate e Krasniqit.

“Nuk është e vërtetë që është marrë në shtëpi, kam bërë ndoshta një gabim ose ka ndodhur gabim në përkthim”, është përgjigjur dëshmitari. 
Avokatja e ka pyetur se sa veta i ka parë me maska. 
“Nuk po më kujtohet: dy a tre i kam parë unë, por nuk më kujtohet sigurt a i kam parë dy a tre”, ka thënë dëshmitari. 
 “Keni dhënë shumë deklarata ku keni thënë se i keni parë katër veta me maska: a ju kujtohet kjo?”, ka pyetur avokatja.
“Unë tash, sa ka pasur aty… Me dy jam ballafaquar më shumë. Ndoshta ka pasur edhe të tjerë, por nuk jam i sigurt që t’i cekë me numra saktë”, është përgjigjur dëshmitari. 
Pyetje atij i parashtroi edhe prokuroria, në bazë të një videoje që e shihnin vetëm palët në gjykatë. 
Dëshmitari u përgjigj se emblema “PU” ishte e policisë ushtarake dhe se veshja e personit në video i përafrohej asaj të personit që e kishte ndaluar “personin 1” që ishte vrarë. 
Dëshminë para gjykatës e ka filluar edhe dëshmitari i gjashtë, që është mbajtur kryesisht në seancë të mbyllur për publikun. Ai ka dëshmuar lidhur me keqtrajtimin e një personi – që sipas tij ishte i ndaluar dhe u kthye në shtëpi me trup të nxirë e me kokë të çarë.