Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vendosur ta shtyjnë dëshminë e dëshmitarit të 29-të në rastin kundër udhëheqësve të UÇK-së. Dëshmitari nuk i ka konfirmuar deklaratat paraprake duke thënë se nuk është mirë. Ai ka refuzuar të dëshmojë edhe nëse për këtë i duhet të bëjë burgimin
Dëshmitari i mbrojtur, i 29-ti me radhë në shqyrtimin gjyqësor në rastin ndaj udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka thënë të mërkurën para Dhomave të Specializuara në Hagë se nuk është mirë dhe se do të shkojë në burg e nuk do të dëshmojë. Pasi e lexoi betimin e dëshmitarit për ta thënë të vërtetën për të gjitha ato që di, Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka kërkuar atij të martën, e po ashtu edhe të mërkurën, që ta konfirmojë një deklaratë të vitit 2004.
“Nëse e shihni versionin në anglisht të këtij dokumenti, që është në të djathtën tuaj, në të djathtën e ekranit që keni përpara, a e shihni emrin tuaj të shkruar në atë faqe”, e pyeti prokurorja Claire Lawson.
Dëshmitari në përgjigjen e tij ka deklaruar se në atë letër nuk është nënshkrimi i tij dhe se deklarata e paraqitur s’është e vërtetë.
“E paska shkarravitur dikush, nuk e di kush e ka bërë këtë shkrim, po kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë dëshmitari.
Avokati që nuk u identifikua gjatë transmetimit të seancës ka shprehur shqetësimin për gjendjen psikologjike të klientit të tij dhe kërkoi vazhdimisht konsultime shtesë me dëshmitarin.
“Nëse më lejoni, mund të them që sot paradite, sot në mëngjes jam konsultuar me klientin tim dhe personi që keni përpara, pra dëshmitari që keni përpara është shumë i stresuar dhe nuk është i gatshëm që të japë dëshmi. Ai është gati që të shkojë në burg, siç ua tha edhe juve. E kam përshtypjen që po udhëzohet për ta dhënë dëshminë. Nuk e di nëse shtyhet seanca se a do të ndryshojë mendja e tij, megjithatë mbështetur në atë çfarë tha dëshmitari, do t’ju kërkoja që të paktën ta shtyni seancën për ca kohë në mënyrë që të kem mundësi që të konsultohem me dëshmitarin”, ka thënë avokati i dëshmitarit.
Dëshmitari kërkoi t’i shtyhet për një muaj dita kur do ta japë dëshminë dhe përsëriti se do të shkojë në burg vetëm të mos dëshmojë. E gjykata nxori urdhër me gojë për shtyrje të seancës.
“Gjykata këshillon avokatin mbrojtës për mundësinë që mund t’i jepen sanksione në bazë të rregullit 141 pika 6 e rregullores sonë dhe nenit 42, paragrafët 7 dhe 8, i ligjit që shpjegon se kjo shtyrje pranohet pjesërisht. Dëshmitari duhet të mbetet nën juridiksionin e kësaj gjykate në mënyrë që të jetë në dispozicion për të kontaktuar me avokatin mbrojtës në mënyrë që të ketë ndihmë psikiatrike dhe të sigurisë nëse lind nevoja. Dëshmia e këtij dëshmitari do të rifillojë më 16 tetor të këtij viti, ditë e hënë. E kuptoni këtë, thjesht po ose jo”, tha kryetari i trupit gjykues Charles Smith, duke iu drejtuar dëshmitarit.
Ndërsa dëshmitari i përsëriti kërkesat e tij në përgjigje ndaj tij.
“E kuptoj, e kuptoni edhe ju që mua më duhet një muaj kohë. Po atëherë ju i dini masat tuaja dhe e vazhdoni procesin dhe i bëni ato ku unë ju thashë më herët: (v.j. më çoni) në burg edhe s’ka tjetër. Gjendja ime nuk është e mirë”, ka insistuar dëshmitari.
Të ngjashme ishin deklaratat e këtij dëshmitari edhe në seancën e mbajtur të martën, kur avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, alarmoi se dëshmitarit i duhet të konsultohet me avokatin e tij, pasi ishte i frikësuar se do ta inkriminonte veten.
E në seancë tërësisht të mbyllur për publikun është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit të 30-të në rastin e krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Siç ka njoftuar Gjykata në Hagë, ky dëshmitari i propozuar nga prokuroria është ish-pjesëtar i UÇK-së. Dëshmia e tij sipas Dhomave të Specializuara kishte të bënte edhe me strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në zonën e Pashtrikut.
Zyra e Prokurorit të Specializuar akuzon ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e deputetëve të Vetëvendosjes për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura dhe trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën mars 1998– shtator 1999 dhe pjesëmarrje drejtpërsëdrejti në frikësim, marrje në pyetje, keqtrajtim të atyre që i shihnin si kundërshtarë politikë. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar krejt akuzat e ZPS-së.
Dëshmia e dëshmitarit të 30 vazhdon edhe paraditen e së enjtes.