LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari i 81-të, ish-ushtar i UÇK-së, sipas ZPS-së ka njohje për urdhrat e UÇK-së e policisë ushtarake

Në rastin më të madh të Dhomat e Specializuara në Hagë ka dëshmuar një ish-pjesëtar i UÇK-së që sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar ishte prezent në Shqipëri e Kosovë gjatë luftës. Ai ka dëshmuar në seancë të mbyllur, por dokumentet publike të gjykatës tregojnë se prokuroria pretendon se ai është në dijeni për pushtetin e shtabit të përgjithshëm, policinë ushtarake në nivel zone e edhe për urdhrat e UÇK-së.

Dëshmitari i 81-të në rastin më të madh të Speciales, sipas prokurorisë ka dijeni për autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm e urdhrat e UÇK-së.

Sipas ZPS-së ai do të japë dëshmi materiale sa u përket veprave penale për të cilat po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Dëshmitari i mbrojtur, me numër 04764 u prezantua shumë shkurt nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Dëshmitari 04764 ka qenë anëtar i UÇK-së, i cili ka qenë i pranishëm në Shqipëri dhe në Kosovë gjatë vitit 1998 dhe 1999”, tha prokurorja Sarah Clanon.

Me arsyetimin e mbrojtjes se identitetit të dëshmitarit, seanca kaloi në sesion privat për marrjen e dëshmisë së tij.

Gjykata tha se ka pranuar në prova materiale të gjitha deklaratat që dëshmitari kishte dhënë më herët për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse.

“59. Materialet shoqëruese janë të pranueshme. Materialet shoqëruese, pjesë e provave e propozuara të dëshmitarit 04764 në aneksin 8 – siç janë dokumentet zyrtare të UÇK-së, fotografitë dhe një artikull gazete – duhet të pranohen si prova materiale meqë janë pjesë e pandashme dhe e pazëvendësueshme e deklaratës së dëshmitarit 04764 në përputhje me rregullin 154”, thuhet në kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Sipas kryeprokurores së specializuar Kimberly West, dëshmitari është në dijeni për autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm dhe policinë ushtarake, që sipas prokurorisë e ka udhëhequr Rexhep Selimi.

“55. [E REDAKTUAR], Dëshmitari 04764 ishte në dijeni për policinë ushtarake në nivel zone (PU) [E REDAKTUAR]. [E REDAKTUAR]. Pjesëtarët e ZKS-së dhe PU-së punuan bashkë në mbledhjen e informatave dhe ndalimin e personave. Disa anëtarë të UÇK-së, [e redaktuar] u shpërndanë prej shtabit të përgjithshëm dhe mbikëqyreshin [E REDAKTUAR]… 56. Dëshmitari 04764 përshkruan autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm [E REDAKTUAR], përfshirë lëshimin e urdhrave [E REDAKTUAR]. Dëshmitari 04764 përshkruan vendndodhjen, autoritetin dhe veprimet e pjesëtarëve të UÇK-së [E REDAKTUAR] dhe ushtarëve nëpër njësitë e tyre më 1999-tën”, thuhet në kërkesën e ZPS-së.

Në këtë shkresë të prokurorisë thuhet se ish-pjesëtari i UÇK-së është udhëzuar për të drejtat e tij dhe e ka konfirmuar se deklaratat e tij janë të sakta dhe të vërteta, gjë që ky dëshmitar e pohoi edhe para gjykatës.