LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari Goodwin: Nuk kam arsye për të vënë në pikëpyetje punën e ICMP-së

Gjykata Speciale i është kthyer punës pas pushimit dimëror, ku sot ka nisur seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Dëshmitari William Goodwin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka deklaruar se nuk ka qenë i përfshirë në analizimin e ADN-së dhe as në procesin që nga fillimi e po ashtu as në krijimin e raporteve të cilat i lexoi gjatë udhëzimeve. Ai e ka lavdëruar punën e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Eksperti mjekoligjor i specializuar në fushën gjenetike, William Goodwin, ka dëshmuar lidhur me raportet e tij për identifikimin e viktimave të zhdukjes në rastin ku po gjykohen ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Raportet e ekspertizës së tij ishin kryesisht të bazuara te raportet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, e njohur shkurt si ICMP. 

Ai tha se raportet e kësaj organizate merren parasysh nga profesionistët e fushës dhe se kjo organizatë shërben si referencë dhe se s’ka arsye për të vënë në mëdyshje punën e tyre.

“I kuptojmë rezervat që i keni shprehur lidhur me atë që ju mund të thoni ose të mos thoni lidhur me ekzaminimet individuale të ADN-së, por gjatë përgatitjes së raporteve tuaja a keni pasur apo a kishit ndonjë dyshim lidhur me standardet dhe metodat e përdorura nga ICMP-ja në raportet e tyre përkatëse”, tha Christoph Barthe, anëtar i trupit gjykues.

“Në përgjithësi jo. Në përgjithësi do të thosha që ata kanë standardet të mirëvendosura për sa i përket metodologjisë së përdorur në këtë lloj pune. Jo vetëm këtë. Ka laboratorë të tjerë në të gjithë botën për shembull te Forcat Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, laboratori për identifikim, i cili ka krijuar edhe precedent në mënyrën e përdorimit të ADN-së për qëllime të identifikimit dhe sa u takon proceseve nuk kam arsye për të vënë në pikëpyetje atë që ata bëjnë dhe mënyrën se si e bëjnë”, tha dëshmitari Goodwin.

E në pyetjet e mbrojtjes ai e konfirmoi se shumë informata gjenetike në raportet që ai i ka pasur në shqyrtim kanë qenë të koduara. Më së shumti atij i shtroi pyetje avokatja e Kadri Veselit, Kerrie Ann Rowan.

“Një shpjegim i mundshëm është që mund të jenë të koduara. Por nuk e dini me siguri?” – tha Rowan.

“Nuk e di me siguri, por nuk janë pjesë e një profili normal nga metoda STR (v.j Short Tandem Repeats)”, tha Goodwin.

Dëshmitari i 111-të në rastin më të madh të Speciales tha se e di që ICMP-ja i kodon të dhënat e saj nga puna e tij 20-vjeçare në fushën mjekoligjore, ndërsa në rastin konkret, sugjerimi se ato të dhëna janë koduar është supozim i tij.

Ai tha se ndryshimi e numrave bëhet me qëllim që të dhënat gjenetike të mos mund të përdoren për qëllimet e tjera përveç identifikimit të të zhdukurve.

Në fund të seancës kryetari i trupit gjykues i dha afat mbrojtjes së Veselit që deri të premten t’i parashtrojë kundërshtimet e saj për pranimin e ekspertizës së dëshmitarit Goodwin.