LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari Çoçaj thotë se raportonte vetëm brenda zonës që i përkiste

Në gjykimin më të madh të Speciales, ish-pjesëtari i UÇK-së dhe ish-deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, ka deklaruar se raportimi i sektorit të Zbulim Kundër Zbulimit ishte brenda Zonës Operative të Pashtrikut. Ai tha se Kadri Veselin e ka takuar gjatë luftës, por nuk ka folur me të lidhur me ZKZ-në

Nezir Çoçaj, ish-pjesëtar i UÇK-së në Has, në kuadër të Zonës Operative të Pashtrikut, ka dëshmuar të hënën në rastin më të madh të Dhomave të Specializuara në Hagë. 

Ai i ka thënë gjykatës se ndonëse ishte përgjegjës për Zbulim Kundër Zbulimit për pjesën ku operonte, shumicën e rasteve nga ora 5 e mëngjesit ishte në front – pasi vazhdimisht nga ajo orë, forcat serbe i zhvillonin ofensivat.

Ka thënë se përgjegjës në kuadër të ZKZ-së për zonën e tij e kishte Halil Qadrakun. 
Derisa dëshmitari Kurtesh Fondaj në qershor pati deklaruar se Qadraku i raportonte direkt Kadri Veselit e jo komandantit të zonës, Ekrem Rexhaj, dëshmitari Nezir Çoçaj u shpreh se raportimi bëhej brenda zonës. 

“Është e vërtetë. Unë Kadri Veselin e kam takuar tri herë, por asnjëherë nuk kemi pasur biseda për këto gjëra d.m.th.”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë se nuk është marrë asnjëherë me bashkëpunëtorët si pjesë e ZKZ-së, por vetëm me raportimin lidhur me atë se ku rrinin e lëviznin forcat serbe. 

Në fillim të luftës, ka thënë se pati vetëm mobilizim të armatosur të fshatrave të Hasit dhe se tek pasi nisi ofensiva serbe në shtator të vitit 1998, ai bashkë me të tjerët e kërkuan ndihmën e komandant Ekrem Rexhës.

Prokurorja Vega Iodice e pyeti dëshmitarin Çoçaj se a e ka takuar Ferat Shalën. 

Dëshmitari e konfirmoi se e ka takuar atë në vitin 2001 dhe i ka thënë se janë në kërkim të njerëzve për ta themeluar Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK). 

Kur prokuroria e pyeti dëshmitarin se kush i ka kërkuar të përfshihej në SHIK, ai u përgjigj “Ferat Shala”. 

Ka shtuar se nuk e di se pse Shala ia kërkoi të përfshihej, por siç ka thënë, beson se këtë e bëri me aprovim të Kadri Veselit. 

“Po mendoj që ka qenë nga drejtori, kam përgjegjësi të bisedoj me ju, të përzgjedhim njerëz, të bisedoj me ju. Me siguri në atë kohë ka qenë (drejtor v.j.) z. Kadri Veseli”, ka thënë ai.

Pyetjet lidhur me vitin 2001 bien jashtë periudhës së aktakuzës, por edhe pyetjet jashtë kësaj periudhe lejohen nga trupi gjykues në rast se shihen të nevojshme për ndriçimin e rastit penal sa i përket kontekstit të një ngjarjeje konkrete apo kredibilitetit të dëshmitarëve. 

Dëshmitari Çoçaj ka thënë se pas disa takimeve me Shalën, tash deputet i PDK-së, iu bashkua SHIK-ut. 

Në këtë rast po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.