Autori i raporteve të Human Rights Whatch për Kosovën gjatë dhe pas luftës, Frederick Abrahams, të hënën ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë se ka mundur të jetë manipuluar nga udhëheqësit e UÇK-së në intervistat që i ka bërë me ta për ta paraqitur UÇK-në formacion më të rregullt se që ishte.
Dëshmitari Frederick Abrahams e ka përmbyllur dëshminë e tij në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së me përgjigjet në pyetjet e avokatëve të të pandehurve. Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, përmendi Psy-Ops, apo operacionet psikologjike ushtarake, që nënkuptojnë propagandën për fuqinë e ushtrive.
Dëshmitari, autor i raporteve të Human Rights Whatch për Kosovën gjatë dhe pas luftës, nuk e përjashtoi mundësinë të jetë manipuluar gjatë takimeve me krerët e UÇK-së për nivelin e organizimit të UÇK-së. Tha se s’ka mundur ta vërtetojë se në ‘98-tën ka ekzistuar apo jo gjykatë ushtarake në rastin kur u vendos për ndalimin e dy punëtorëve të agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, Vladimir Dobriçiq e Nebojsha Radosheviq, të cilët u liruan më pas.
“A kishit ndonjë dëshmi që nga shtatori i ‘98-tës, sipas njoftimit për shtyp, ekzistonte një drejtori për drejtësi pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK, pranë së cilës ekzistonte edhe një gjykatë ushtarake nën përgjegjësinë e një prokurorie ushtarake? A gjetët ju burime të pavarura për të verifikuar këtë pretendim me përjashtim të takimit me z. Thaçi dhe z. Limaj?” – e pyeti Emmerson.
“Informacionin e kemi bazuar në atë çka na kanë thënë. Nuk na lejuan t’i vizitonim të ndaluarit, pra nuk ishim në gjendje të verifikonim në qoftë se kishte një objekt ndalimi, se ku ishin këto vende apo se a ekzistonte një drejtori e drejtësisë”, tha dëshmitari Abrahams.
“A mendoni se ky është një shembull tjetër kur UÇK-ja pretendonte se ekzistonin struktura që në fakt nuk ekzistonin në të vërtetë, a mund të jetë edhe ky rasti”, pyeti Emmerson.
“Po, edhe kështu mund të ketë qenë”, tha Abrahams.
E mbrojtësi i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, e pyeti atë lidhur me deklaratat e klientit të tij, ku pati bërë thirrje për ndalim të dhunës ndaj pakicave menjëherë pas luftës.
“Ka bërë deklarata të tilla, por ka pasur edhe shqiptarë të tjerë të cilët e kanë dënuar hakmarrjen dhe e kanë kërkuar respektimin e të drejtës ndërkombëtare, që shqiptarët e Kosovës e kanë përjetuar dhunën në të shkuarën, dhe se mund ta krijojnë një të ardhme pa një gjë të tillë. Po, ka pasur shqiptarë të tjerë të Kosovës që e kanë dënuar këtë”, tha Abrahams.
Në seancë të mbyllur u trajtua një dokument sekret i bisedimeve në Rambuje, ku Hashim Thaçi ka marrë pjesë në emër të UÇK-së.
Abrahams ishte dëshmitari i 22-të në këtë rast, ndërkohë, të hënën, dëshminë e nisi i 23-ti në seancë të mbyllur.