Dëshmitari i 82-të në rastin më të madh të Speciales ka dëshmuar në seancë tërësisht të mbyllur. E dokumentet e Dhomave të Specializuara tregojnë se dëshmia e këtij dëshmitari ndërlidhet me ndalim, vrasje e zhdukje të disa personave.
Kryetari i trupit gjykues e ka mbyllur seancën tërësisht pa e filluar dëshminë dëshmitari i 82-të në rastin më të madh të Speciales, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
Përderisa u bë i ditur vetëm numri i këtij dëshmitari, dokumentet publike gjyqësore tregojnë për rëndësinë e këtij dëshmitari për rastin.
Në një përgjigje të Mbrojtjes së Viktimave ndaj Mbrojtjes së të akuzuarve shkruhet se ai ka dëshmi për ndalim arbitrar, vrasje dhe zhdukje.
"30. Konkretisht lidhur me dy dëshmitarë sa i përket njoftimit për kundërshtim, mbrojtja parashtron se:
b) Lidhur me dëshmitarin 03780, Mbrojtësi i Viktimave i referohet një “numri të madh të viktimave pjesëmarrëse në proces gjyqësor”, të cilët u ndaluan apo/dhe familjarët e tyre u arrestuan, vranë apo u zhdukën në rrethanat lidhur me të cilat pritet të dëshmojë dëshmitari e për asnjë prej këtyre (rrethanave) mbrojtja nuk është në dijeni", u tha në përgjigje.
Ky dokument tregon po ashtu se prokuroria pretendon se të akuzuarit janë përgjegjës për 25 vrasje në një shpellë afër Volljakës së Klinës.
"Sa i përket kërkesës për ta marrë në pyetje dëshmitarin 03780, Pjesa B e aktakuzës së ndryshuar liston 25 viktima direkte të vrasjes në Shpellën e Volljakës më 26 dhe 27 korrik 1998. Pjesa A e aktakuzës së ndryshuar tregon se ndërmjet 16 dhe 26 apo 27 korrikut 1998, të paktën 48 viktima të ndalimit arbitrar ishin në ish-Stacionin Policor të Malishevës".
Sipas këtij dokumenti në vitin 2005, në Shpellën e Volljakës u gjetën dhe u identifikuan nëpërmjet analizës së ADN-së kufomat e shtatë prej civilëve serbë nga Retia dhe të tre serbëve të tjerë nga Opterusha, fshatra këto të Rahovecit.
Në aktakuzë figurojnë persona me mbiemrat si Bozhaniq, Kostiq, Banziq.
Megjithatë, sipas aktakuzës, këta janë emrat që dihen, por ka edhe të tjerë që nuk dihen.
Ndryshe, Specialja ka njoftuar se në këtë proces gjyqësor Mbrojtësit të Viktimave u ka thënë se pas vdekjes së një prej viktimave në fillim të këtij viti, tani numri aktual i viktimave pjesëmarrëse është 153.