Deputetët e opozitës kanë protestuar para Radiotelevizionit të Kosovës, shkaku që në kanalin qendror nuk u transmetua seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga ta. Sipas opozitarëve, kjo u bë me direktiva të pushtetit. E në RTK thanë se prej kohësh ishte planifikuar transmetimi i një konference që është organizuar në 25-vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës
Debati i jashtëzakonshëm i opozitës në Kuvend, i thirrur të mërkurën për ta trajtuar faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit e komunikimet mes Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, nuk u transmetua në kanalin qendror të Radiotelevizionit të Kosovës.
Në kohën sa është zhvilluar debati pa praninë në sallë të deputetëve të Vetëvendosjes, RTK-ja ka transmetuar një aktivitet tjetër ku i pranishëm ishte kryeministri Albin Kurti.
Të revoltuar për këtë, deputetët opozitarë që ishin në seancë ia mësynë RTK-së.
Ata tentuan që adresimin për media ta bënin brenda oborrit të RTK-së.
Por nuk u lejuan nga pjesëtarë të sigurimit.
Përfaqësues të opozitës e quajtën vrasje të demokracisë e mbytje të zërit të deputetit veprimin e RTK-së, për të cilin thanë se u bë me direktiva të pushtetit.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kjo u bë qëllimshëm.
“Pikërisht sot qytetarët e Kosovës duhej të dëgjonin se si vidhen nga kapelat e zeza 20 milionë euro përmes ujit të pijshëm të vendit tonë. Kapelat e zeza të Dejonës sot në RTK mundem me e mbyll derën, edhe pak, por jo edhe gjatë”, ka thënë ai.
E, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka akuzuar pushtetin se po përdor mjete si të pushtetit të Serbisë.
“Nëse dikush mendon dhe logjikon të udhëheqë nga parapolitika, kjo i ka takuar dhe i takon kohës kur regjimi serb i ka mbyllur dyert e përfaqësuesve shqiptarë në mediumin e atëhershëm të pavarur të Radiotelevizionit të Prishtinës”, ka thënë ai.
Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se mostransmetimi i seancës ishte në funksion të asaj që e quajti, mashtrim i kryeministrit.
“Fakti që në një seancë ku po trajtohet një super skandal i kësaj qeverie ndalet për fjalimin e kryeministrit, që ishte në një konferencë, tregon shumë saktë, drejt e shpërfytyron regjimin e Kurtit se, duhen me e ndalë fjalën debatin, argumentin dhe ashtu si kanë ardhur me mashtrim, ta mashtrojnë popullin”, ka thënë ai.
Përfaqësues të opozitës kërkuan dorëheqjen e ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së, Rilind Gërvalla, dhe të anëtarëve të Bordit.
E, Gërvalla e cilësoi protestën gjest të papjekur të opozitës, pasi tha se transmetimi i ngjarjes së 25-vjetorit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në vend të Kuvendit ka qenë i planifikuar javë më parë.
Ai tha se Kuvendi nuk është censuruar dhe seanca është transmetuar në kanalin e tretë të RTK-së.